Stadiumi legjendar “San Siro” nuk do të jetë pjesë e arenave pritëse për Kampionatin Evropian “Euro 2032”. Vendimi u konfirmua pas një takimi të mbajtur në ‘Palazzo Marino’, selia e Këshillit Bashkiak të Milanos, ku morën pjesë përfaqësues të Interit, Milanit, Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), UEFA-s dhe vetë kryebashkiaku Giuseppe Sala.
Pavarësisht se Milano përmbush të gjitha kriteret e UEFA-s në lidhje me infrastrukturën, transportin dhe kapacitetet e akomodimit, stadiumi “San Siro” nuk i plotëson më standardet moderne të kërkuara për organizimin e një kompeticioni të tillë.
Takimi ishte pjesë e një cikli me njëmbëdhjetë mbledhje të planifikuara, që kanë për synim përcaktimin e pesë qyteteve pritëse të Euro 2032 në Itali. FIGC ka afat deri më tetor 2026 për t’ia dorëzuar listën përfundimtare UEFA-s, ndërsa punimet për ndërtimet e reja duhet të nisin jo më vonë se marsi 2027.
Ndërkohë, shpresat për përfshirjen e Milanos nuk janë shuar krejtësisht. Qyteti dhe klubet kanë më shumë se një vit kohë për të paraqitur një projekt të ri dhe përfundimtar për një stadium të ri, i cili mund të ndërtohet në zonën pranë “San Siros” aktual.
“Euro 2032” do mbahet në Itali dhe Turqi.