Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 4 janë ende aktive.
Vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mallakastër, Patos, Fier, Rroskovec, Himarë, Tiranë, Rrogozhinë, Mirditë, Pogradec, Delvinë, Memaliaj dhe Malësi e Madhe.
Vatrat aktive janë si më poshtë:
* Qarku Dibër – Në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar të Lurës, i cili po zhvillohet në dy vatra. Një vatër po zhvillohet në drejtim të Lurës, rreth liqenit të Zi dhe po punohet nga forcat operacionale, por terreni i keq dhe intensiteti i madh që ka zjarri vështirëson puën për vendosjen e saj nën kontroll. Ndërsa vatra tjetër po zhvillohet në pjesën e sipërme të vatrës nga krahu i Malit të Dejës, por po mbahet nën monitorim për shkak të sipërfaqes së madhe që kapërshkuar. Në operacion për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 23 forca operacionale dhe 30 forca nga FA, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.
* Qarku Dibër – Bashkia Bulqizë – Në zonën e “Malit të Peladhisë”, njësia administrative Zerqan. Vetëm një vatër është aktive, e zhvendosur në lartësinë mbi fshatin Krajkë, e cila po zhvillohet në terren të vështirë, në sipërfaqe me shkurre e dushqe. Vatra e zjarrit po mbahet nën kontroll nga forcat në terren. Si pasojë është përshkuar rreth 33 ha sipërfaqe me dushqe, shkurre dhe barishte.
* Qarku Fier, në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, vijon aktive vatra e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe pyll pishe nën kurorë, midis kufirit ndarës të fshatit Drenovë, Belishovë, dhe fshatit Gorishovë, i cili u riaktivizua më datë 14 korrik. Vatra e zjarrit ka marrë zgjerim të perimetrit, për shkak të erës. Po punohet nga forcat operacionale për shuarjen e tij.
* Qarku Vlorë. Në fshatin Borsh, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë. Në mbrëmje vatra e zjarrit është riaktivizuar dhe u ndërhy nga efektivët e MZSH Himarë me pompa shpine, duke izoluar atë. Gjatë natës efektivët kanë qëndruar në vendngjarje për të monitoruar situatën, por mëngjesin e sotëm vatra e zjarrit është riaktivizuar përsëri, në një sipërfaqe me shkurre pranë banesave, e cila vështirëson ndërhyrjen me trupa, pasi është terren i vështirë. Ditën e sotme po punojnë për shuarjen e tij 4 efektivë të MZSH Himarë dhe 1 helikopter i FA-së. Si pasojë u dogj rreth 10 ha sipërfaqe me shkurre.
Si pasojë e zjarreve janë djegur rreth 52 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe rreth 90 rrënjë ullinj.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 32 automjete zjarrfikëse dhe 275 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme mori pjesë 3 automjete zjarrfikëse dhe 50 forca nga FA. Ditën e sotme nga FA, në operacion për shuarje zjarri janë angazhuar 30 forca ushtarake dhe 2 automjete zjarrfikëse me ekuipazh dhe 1 helikopter.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme nuk parashikohen reshje.
Sa i përket rrezikut për zjarre në pyje, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Lezhë, Tiranë, Fier dhe Berat, ndërsa në të gjitha qarqet e tjera pritet nivel rreziku “I MODERUAR”.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë në të gjithë territorin për të ndërhyrë në kohë dhe për të parandaluar përhapjen e zjarreve.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet emergjente në rast se konstatojnë një vatër zjarri.