Ballina Opinion Dosja Bankers dhe interesi publik

Dosja Bankers dhe interesi publik

45
0

Kur qeveria e Fatos Nanos vendosi, në vitin 2004, të privatizojë shfrytëzimin e vendburimit të naftës në Patos-Marinzë, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare luhatej në nivelet 20-30 dollarë për fuçi. Një vit më parë madje, çmimi kishte rënë deri në 8 dollarë për fuçi.

Ndoshta sot nuk e kujton njeri, por në atë kohë Albpetroli praktikisht kishte falimentuar dhe qeveria ishte e gatshme ta jepte dhe falas shfrytëzimin e vendburimit, vetëm që njerëzit të qëndronin në punë. Ndaj, afrimi i Saxon dhe nënshkrimi i kontratës koncesionare ishte një lehtësim i madh.

Marrëveshja koncesionare mes qeverisë dhe kompanisë kanadeze, që më vonë ndryshoi emrin në Bankers, u përpilua me ndihmën e Bankës Botërore. Ajo ishte një kontratë tip, që përdorej në të gjitha marrëveshjet hidrokarbure në shumë vende. Ekspertët e Bankës ishin të qartë që në fillim se arritja e faktorit R në 1, aty ku kompania paguan 50 për qind tatim fitim, do të ishte thuajse e pamundur. Kjo për dy arsye.

Së pari, në industrinë hidrokarbure, kompanitë kanë nxitjen të investojnë çdo fitim. Arsyeja e dytë lidhet me vështirësinë e autoriteteve për të kontrolluar saktësinë e kostove. Megjithatë, menjëherë pas privatizimit, konjuktura e tregjeve të naftës u përmirësua. çmimi u rrit dhe biznesi i Bankers në Patos Marinzë filloi të lulëzojë duke prodhuar të ardhura të konsiderueshme. Por buxheti nuk përfitonte thuajse asgjë, përveç rentës minerare 2 për qind.

Përballë kësaj situate, në vitin 2007, qeveria e Sali Berishës kërkoi rinegocimin e marrëveshjes koncesionare me kompaninë kanadeze. Edhe pse marrëveshja e koncesionit kishte klauzola shumë të forta stabiliteti, që i kompesonin menjëherë kompanisë çdo rritje të mundshme taksash, Bankers pranoi rritjen e rentës nga 2 në 10 për qind e të ardhurave bruto.

Falë asaj lëvizje, buxheti i shtetit ka marrë të paktën 600 milionë euro rentë minerare nga Bankers për shfrytëzimin e Patos Marinzës. Së bashku me taksat e tjera ambientale, tatimin e të ardhurave dhe kontributet, shifra e paguar shkon në mbi 1 miliardë euro. Dhe këtu duhet sqaruar tre gjëra që keqpërdoren qëllimisht.

Nuk është e vërtetë që Bankers ka fituar 6 miliardë euro nga nafta në Patos Marinzë. 6 miliardë euro është xhiro totale nga shitja e naftës, që është nxjerrë nga 2004-a e sot.

Nuk është e vërtetë që Bankers nuk ka paguar asnjë lek taksë në shtet. Të paktën 1 miliardë euro nga ato 6 miliardët që janë nxjerrë nga Patos Marinza kanë shkuar në buxhetin e shtetit.

Nuk është e vërtëtë që Bankers ka dalë me humbje. Tre vjet më parë fitimi i Bankers ishte 70 milionë dollarë. Dy vjet më parë, fitimi ishte 40 milionë dollarë.

Por sipas deklarimeve fiskale të kompanisë, të gjitha fitimet e realizuara nga ajo nuk e kanë barazuar akoma shumën e shpenzimeve që ka bërë për investime dhe zërave të tjerë në Patos Marinzë. Rrjedhimisht, ajo që Bankers nuk ka paguar asnjë lek është tatimi mbi fitimin. Sepse marrëveshja koncesionare parashikon, që kompania paguan 50 për qind tatim fitimi vetëm pasi të ketë rekuperuar të gjitha shpenzimet që ka bërë në vendburim.

Ndaj debati real që shtrohet është a duhet të kishte marrë më shumë buxheti nga ato 6 miliardë eurot? Fjala vjen 2 miliardë euro? Dhe kush është fajtori se pse buxheti nuk ka marrë 2 miliardë euro?

çdo kompani e madhe në botë pajton ushtri ekspertësh për të ulur ekspozimin e saj tatimor. Kjo është ajo që ka bërë dhe Bankers. Por kontrata koncesionare i jep të drejtën qeverisë të miratojë çdo shpenzim që Bankers kryen në aktivitetin e saj në Patos Marinzë, dhe të refuzojë mosnjohjen e tyre.

Pra nëse Bankers deklaron 500 milionë euro shpenzime për vitin 2024, shteti përmes AKBN ka të drejtën të auditojë dhe të thotë që nga këto 500 milionë 250 milionë euro janë shpenzime të paarsyeshme dhe nuk t’i njoh. Kur palët kanë këtë mosdakortësi, atëherë ato shkojnë në gjykatë, dhe është gjykata që thotë fjalën e fundit nëse shpenzimet njihen apo jo.

Shteti shqiptar ka qenë i pafuqishëm për të kundërshtuar profesionalisht kostot që kompania mund të ketë fryrë në zërat e shpenzimeve. Ndaj fajtori i vetëm se pse shqiptarët nuk kanë marrë më shumë para nga taksat janë zyrtarët e shtetit, jo administratorët e arrestuar të kompanisë.

Mjafton të përmendet fakti, që Shqipëria ka humbur thuajse çdo gjyq me Bankersin për mosnjohjen e shpenzimeve, përveç një gjyqi të fundit, ku arriti të merrte mosnjohjen e 217 milionë dollarëve shpenzime për 7 apo 8 vjet.

Kjo është historia. Bankers është njëkohësisht një fuqi e madhe korruptive dhe një lopë me shumë sisë që e kanë mjelë të gjithë. Ka korruptuar dhe e kanë mjelë ministra, ish ministra, zyrtarë të lartë të sektorit, ish zyrtarë. Ka korruptuar media, por edhe e kanë mjelë mediat me gjobvënie.

Por në fund një gjë është e qartë. Bankersit nuk i merret para duke arrestuar Lonin dhe 7 kinezë. Kjo është rruga se si nuk i merret para. Qeveria e ka patur gjithmonë instrumentin për të marrë më shumë nga nafta në Patos-Marinzë. Thjesht nuk i ka marrë për buxhetin, por i kanë marrë për vete dhe për partinë. Ndaj dhe këto arrestimet e fundit për atë punë ishin.

Sepse dikush nuk pranojë të financojë fushatën e Belindës në Fier dhe Lepujve sekserë./ Kapitali