Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit të lëndëve narkotike me anë të llambave, të shitjes së saj, si dhe për goditjen e armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “The Wrong Meeting”.
Sekuestrohen gjithsej 6.2 kg kanabis në formë boçeje (dyshohet e prodhuar me llampa), një armë zjarri pistoletë së bashku me një sasi municioni luftarak, dy jelekë antiplumb, pajisje për përshtatjen e ambientit për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, dy automjete dhe 6 aparate celularë.
Janë vënë në pranga 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Dy prej të arrestuarve u kapën në flagrancë në zonën e Golemit gjatë shkëmbimit të një sasie kanabisi, ndërsa tjetri posedonte armën e zjarrit, një sasi tjetër të lëndës narkotike dhe pajisjet që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me metoda proaktive, finalizuan operacionin policor të koduar “The Wrong Meeting”, për goditjen e një rasti të veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike si dhe të armëmbajtjes pa leje.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Sh. T., 36 vjeç, banues në Vorë, Tiranë, i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”;
D. S., 21 vjeç, banues në Peqin, Elbasan dhe J. B., 17 vjeç, banues në Golem, Durrës, të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit G. S., 39 vjeç, dhe M. Ll., 33 vjeç, të dy banues në Peqin, të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në një parking në zonën e Golemit, Durrës, Sh. T. dhe D. S., në momentin e shkëmbimit të një sasie lënde narkotike kanabis në formë boçeje me peshë 4.5 kg.
Nga hetimet e kryera, në këtë aktivitet ishte i përfshirë edhe shtetasi J. B., i cili banonte përkohësisht në një ambient pranë parkingut, ku pas kontrollit të ambientit ku banonte, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe 1.1 kg lëndë narkotike kanabis.
Në vijim të operacionit, nga sherbimet e Komisariatit te Policise nr.7 Tirane, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Sh. T., u gjet dhe u sekuestrua 600 gram lëndë narkotike e dyshuar kanabis, një armë zjarri e dyshuar pistoletë, së bashku me një sasi municionesh luftarake (fishekë), dy jelekë antiplumb, si dhe pajisje për përshtatjen e ambientit për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Nga hetimet ka rezultuar se në këtë veprimtari kriminale janë të përfshirë edhe shtetasit G. S. dhe M. Ll., të cilët janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve po vijon puna për identifikimin dhe dokumentimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.