Ballina Kulturë DURRES/ Vila romake doli në dritë gjatë ndërtimit të shkollës/ Blendi Gonxhja:...

DURRES/ Vila romake doli në dritë gjatë ndërtimit të shkollës/ Blendi Gonxhja: Ndryshon projekti, shkolla dhe vila integrohen

0
100

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, vizitoi sot strukturën arkeologjike në Durrës, ku së fundmi është zbuluar një vilë romake.

Sipas Gonxhes, Struktura e zbuluar përbën një nga zbulimet më të rëndësishme të dekadave të fundit në territorin e Republikës së Shqipërisë, e veçuar për cilësinë artistike dhe teknike të mozaikëve, të cilët krahasohen me ato të zbuluar në Italinë jugore dhe qendrore.

Postimi i Blendi Gonxhes:

Së bashku me Bashkinë Durrës, gjatë vizitës në hapësirën e strukturës arkeologjike nën gjurmët e një vile romake të pasur me mozaikë me motive gjeometrike, strukturë muri rrethuese dhe materiale të lëvizshme arkeologjike, të zbuluara gjatë punimeve për rindërtimin e shkollës “Gjergj Kastrioti”. Menjëherë pas zbulimit u hartua Raporti i Gërmimit Arkeologjik të Shpëtimit nga Prof. Luan Përzhita, raport i cili i hapi rrugë planit të konservimit dhe studimit të detajuar të kësaj gjetjeje.

Struktura e zbuluar përbën një nga zbulimet më të rëndësishme të dekadave të fundit në territorin e Republikës së Shqipërisë, e veçuar për cilësinë artistike dhe teknike të mozaikëve, të cilët krahasohen me ato të zbuluar në Italinë jugore dhe qendrore. Kjo vilë përfaqëson një pasuri të jashtëzakonshme jo vetëm për trashëgiminë kulturore dhe historike të qytetit të Durrësit, por edhe për të gjithë vendin, duke sjellë potencial të shtuar për zhvillimin e turizmit kulturor.

Pas këtij zbulimi, arkitekti i njohur spanjoll Toni Gironès është angazhuar në riprojektimin e shkollës “Gjergj Kastrioti”, duke konceptuar një qasje inovative që ndërthur edukimin me trashëgiminë, në një projekt që parashikon ekspozimin dhe mbrojtjen e gjetjeve arkeologjike. Kjo nismë pritet të sjellë një transformim të jashtëzakonshëm urban dhe edukativ në qytet, ku nxënësit, komuniteti dhe turistët do të kenë akses të drejtpërdrejtë në një pjesë të gjallë të historisë.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Institutin e Arkeologjisë, Qendrën Muzeore Durrës, Bashkinë e qytetit dhe Prof. Luan Përzhitën, do të ndjekin nga afër procesin e dokumentimit, vlerësimit dhe integrimit të këtyre gjetjeve në projektin e ri të rindërtimit. Gjatë fazës së re të zhvillimit do të sigurohet ruajtja e vlerave arkeologjike, duke garantuar mbrojtje dhe ekspozimin publik të tyre.

Ky model i ndërthurjes së infrastrukturës arsimore me trashëgiminë kulturore është një shembull konkret i vizionit për zhvillimin urban, arsimor dhe turistik në Shqipëri.”