Limoges, një qytet në Francën qendrore, u shndërrua në një skenë dhune të egër në orët e para të mëngjesit të së shtunës, kur dhjetëra persona të maskuar, të armatosur me shufra hekuri, koktej molotov, fishekzjarre dhe sende të tjera të forta, sulmuan automjete në një segment të rëndësishëm rrugor dhe u përplasën me forcat e rendit.
Sipas autoriteteve, mes 100 dhe 150 individë morën pjesë në këtë akt dhune, i cili u përshkallëzua në një përplasje të drejtpërdrejtë me policinë në rrugën RN141. Në përpjekje për të marrë kontrollin e zonës dhe për të bllokuar qarkullimin, sulmuesit u përballën me forcat e policisë që përdorën gaz lotsjellës dhe mjete kontrolli të turmës për t’i shpërndarë.
Sipas sindikatës lokale të policisë, në përplasje u plagosën nëntë efektivë. Ndërkohë, prokuroria njoftoi se janë sulmuar edhe automjete civile, përfshirë makina me familje dhe fëmijë brenda, por fatmirësisht nuk raportohen të lënduar nga radhët e qytetarëve, ndonëse shumë prej tyre kanë mbetur të traumatizuar.
Kryetari i bashkisë së Limoges, Émile-Roger Lombertie, e përshkroi ngjarjen si një “luftë urbane të organizuar”: “Nuk ishte një protestë spontane. Nuk pati asnjë arsye të deklaruar. Ishte një akt për të shkatërruar gjithçka dhe për të treguar kontroll mbi territorin”, tha ai.
Zona e Val de l’Aurence, e cila përflitet për lidhje me trafik droge dhe banuar kryesisht nga të rinj me prejardhje emigrante, ishte skenë trazirash edhe gjatë natës së 14 Korrikut, ditës kombëtare të Francës. Megjithatë, prokurorja Émilie Abrantes deklaroi se aktualisht nuk ka prova që lidhin këtë ngjarje me hetimet e fundit për trafik droge në rajon.
Ministria e Brendshme franceze ka reaguar menjëherë, duke njoftuar vendosjen e një njësie të veçantë sigurie në Limoges për të rikthyer rendin dhe për të parandaluar përshkallëzime të mëtejshme.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe vjen në një moment delikat për Francën, në kulmin e sezonit turistik, duke rikthyer debatin për sigurinë, integrimin dhe kontrollin ndaj grupeve të dhunshme të organizuara.