Ballina Aktualitet Lufta vazhdon/ Bashkia e Vlorës tërhiqet nga projekti i parkut fotovoltaik në...

Lufta vazhdon/ Bashkia e Vlorës tërhiqet nga projekti i parkut fotovoltaik në Kaninë

0
20

Presioni i lartë publik mbi projektin e parkut gjigand fotovoltaik në Kaninë, duket se e ka detyruar Bashkinë e Vlorës që të tërhiqet. Përmes një njoftimi të papritur, Këshilli Bashkiak i Vlorës ka deklaruar se pas verifikimit të dokumentave ka rezultuar se Bashkia nuk figuron si pronare e 831 hektarëve tokë në Malin e Shashicës, ndaj nuk mund të procedojë me votimin e projektvendimit.

Njoftimi i plotë i Këshillit Bashkiak Vlorë

Të nderuar banorë të Vlorës, por jo vetëm,
Në përgjigje të interesimit të disa mediave dhe në vazhdën e dizinformimit nga disa të tjera, sqarojmë se:
Është e vërtetë që prej 16 muajsh Bashkia Vlorë ka marrë disa kërkesa për një truall me sipërfaqe 831.7 ha, ku subjektet kërkuese synojnë të ndërtojnë një park fotovoltaik. Kërkesat janë depozituar përkatësisht në këto data:
1. 29.04.2024
2. 20.05.2024
3. 23.05.2024
Së fundmi, kërkesa është miratuar për t’iu përcjellë Këshillit Bashkiak.

Megjithatë, nga dokumentacioni i marrë nga Kadastra më datë 18.07.2025, me qëllim plotësimin e dokumenteve për mbledhjen e Këshillit, rezulton se trualli në zonën e Kaninës ka vetëm një vërtetim hipotekor si truall në emër të Bashkisë, por Bashkia Vlorë nuk figuron si zotëruese e titullit të pronësisë së këtij trualli.

Në këto kushte, Këshilli Bashkiak nuk mund të marrë një vendim në lidhje me këtë kërkesë.

Të gjitha komentet dhe insinuatat e tjera janë keqkuptime ose dizinformime me prapavijë keqdashëse.

Duke ju uruar një fillim jave sa më të paqtë, ju njoftojmë se nesër do të vijojmë me mbledhjen dhe shqyrtimin e projekt-vendimeve të tjera të rendit të ditës.

Projekti
Dy ditë më parë Kapitali publikoi një investigim, sipas të cilit, Bashkia e Vlorës ishte vënë nën presion nga qeveria për të tjetërsuar 831 hektarë tokë kullota në Malin e Shashicës, me qëllim ndërtimin e një parku gjigand fotovoltaik nga një biznesmen i fuqishëm në Tiranë.

Por projekti kundërshtohej fuqishëm nga banorët e Kaninës, të cilët jetojnë kryesisht me blegtori dhë në këtë zonë përveçse ushqejnë bagëtitë, kanë me dhjetra stane aty./kapital