Ballina Kronika Plagosja e dyfishtë në Sarandë, policia arreston një nga personat e shpallur...

Plagosja e dyfishtë në Sarandë, policia arreston një nga personat e shpallur në kërkim

31
0

Artan Murtaj 43 vjeç është arrestuar nga Policia e Sarandës, pasi ishte shpallur në kërkim si një nga personat e dyshuar të shpallur në kërkim në plagosjen me armë ndaj Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt.

43-vjeçari Murtaj akuzohet për veprën penale të “përkrahjes së autorit të krimit”.

“Në vijim të veprimeve lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 17.07.2025, në lagjen nr. 3, Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria, datë 19.07.2025, për shtetasin A. M., 43 vjeç, banues në Sarandë, i shpallur në kërkim si i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Sarandës.

Në kërkim për plagosjen e dyfishtë në Sarandë të ndodhur më 17 Korrik 2025 vijojnë të jenë në kërkim vëllezërit Ramadan Zoto alias Ramadan Canaj 43 vjeç dhe Erjon Canaj 36 vjeç dhe Klaus Jaçaj 31 vjeç.

Policia akuzon Ramadan Zoton (Canaj) si person që ka qëlluar me armë ndaj Gëzim Hajdarajt 33 vjeç dhe Ernest Lama 24 vjeç, duke i lënë të plagosur, të cilët pasi morën ndihmën e parë në Spitalin e Sarandës, u dërguan për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Shqiptarja.com mësoi se shkak i ngjarjes ishte konflikti për zënien e një sipërfaqe toke

Dy të plagosurit nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lamaj kishin në posedim një sipërfaqe toke në Sarandë, përgjatë vijës bregdetare, ngjitur me pronën e dy vëllezërve Canaj.

Të plagosurit pretendonin se dy vëllezërit Lama u kishin zënë një pjesë të sipërfaqes së tokës. Ata kishin kërkuar takim për të sqaruar situatën. Palët u takuan pasditen e djeshme (17 Korrik 2025), por situata doli jashtë kontrollit deri në përdorimin e armëve.