Thatësira e hershme që filloi që në muajin në maj ka prekur njerëzit, kafshët dhe të korrat në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në rajon ka pasur kufizime të ujit dhe energjisë, ndërprerje në rrjedhën e lumenjve dhe probleme në bujqësi.
Një thatësirë e rëndë ka lënë mbi një mijë lopë dhe kuaj pa ujë në një mal në Serbinë juglindore, duke i detyruar autoritetet të dërgojnë furnizime emergjente.
Në Suva Planina, që në serbisht do të thotë Mali i Thatë, pronarët e bagëtive thanë se nuk mbajnë mend që burimet të jenë tharë ndonjëherë para mesit të gushtit.
Të alarmuar, autoritetet sollën kamionë uji të enjten dhe punëtorët përdorën tuba për të mbushur një pellg nga rezervuarët për kafshët e etura.
Në Bosnjën fqinje, meteorologët kanë thënë se qershori i këtij viti mund të regjistrohet si më i thati në historinë e kohëve të fundit, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi.
Në Kroacinë lindore, autoritetet shpallën masa emergjente në disa komuna përgjatë kufirit me Hungarinë për t’u përballur me efektet e thatësirës.
Kultivuesit e perimeve në vend kanë paralajmëruar se shumë prej tyre mund të falimentojnë.
Më parë në korrik, si Shqipëria ashtu edhe Kosova raportuan mungesa uji që ndikuan edhe në prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri.
Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimi i klimës po përkeqëson frekuencën dhe intensitetin e nxehtësisë dhe thatësirës në pjesë të Evropës, duke e bërë rajonin më të prekshëm ndaj ndikimeve në shëndetin e njerëzve dhe ndaj zjarreve.
Një valë e re nxehtësie pritet në Ballkanin Perëndimor në ditët në vijim.