Ballina Opinion Vlora nuk ka nevojë për luftë, por për dashuri dhe bashkëpunim mes...

Vlora nuk ka nevojë për luftë, por për dashuri dhe bashkëpunim mes të majtëve dhe të djathtëve!

51
0

Nga Gjergj Nika 

Vlora është qytet me histori të madhe dhe me shpirt të thellë. Prandaj është e dhimbshme të shohësh se bukuria e saj natyrore, pasuria kulturore dhe potenciali i saj i jashtëzakonshëm shpesh zbehen nga problemet e përditshme: mungesa e pastërtisë, zaptimi i hapësirave publike, shpërfillja ndaj komunitetit.
Kjo nuk është Vlora që duam. Kjo nuk është Vlora që meritojmë.
Pikërisht për këtë arsye, si këshilltar bashkiak i opozitës, nuk mund të qëndroj indiferent. Sepse ne si opozitë dhe unë si kryetar grupi të opozitës nuk jemi këtu për të luftuar verbërisht, por për të kontribuar.
Ne nuk jemi armiq të partisë në pushtet, por kundërshtarë politikë që besojmë fort në një rol aktiv dhe të dobishëm në shërbim të qytetit.
Ne nuk jemi “kundër për inat”, por jemi “përballë me arsyetim e argumentim”.
Fakti që jemi në opozitë nuk na bën armiq të qytetit, institucioneve të tij dhe drejtuesve të tyre.
Jemi kundërshtarë politikë, por pjesë e pandashme e përfaqësimit qytetar. Qëndrimi kritik dhe propozues ndaj shumicës nuk është tradhti ndaj qytetit, por një formë e shëndetshme e demokracisë që synon të rrisë transparencën, efikasitetin dhe përfaqësimin real të interesit publik.
Ky është një akt dashurie për Vlorën.
Sepse opozita nuk është pengesë, por duhet parë si mundësi!
Në funksion të këtij qëndrimi, bëj thirrje për bashkëpunim institucional në çdo rast kur interesat e komunitetit kërkojnë tejkalimin e ndasive politike. Kur bëhet fjalë për ndotjen e mjedisit, mungesën e gjelbërimit, problematikat urbane apo varfërinë sociale, nuk ka vend për ndarje mes të majtës dhe të djathtës. Ka vetëm një palë që duhet të fitojë: qytetarët!
Kritika ime si opozitar nuk është përçarje, por thirrje për vëmendje!
Zëri im si opozitar nuk është për të penguar, por për të zgjuar ndërgjegjen qytetare. Ne si opozitë kërkojmë një Vlorë më të pastër, më të gjelbër, më të qetë për fëmijët tanë, më të hapur për të rinjtë tanë dhe më të dashur për të moshuarit tanë. Një qytet ku në çdo hap qytetarit të ndiejë respekt dhe përkujdesje. Të ndiejë se i përket që qyteti me të ardhme evropiane.
Dhe për këtë, nuk mjafton as opozita, as shumica. Ne kemi nevojë për ju, qytetarët. Për ndërgjegjen tuaj, për fjalën tuaj, për zemrën tuaj. Vlora nuk bëhet më e mirë vetëm nga politika, bëhet nga çdo dorë që nuk hedh mbeturina, nga çdo sy që sheh padrejtësinë dhe e denoncon, nga çdo zë që kërkon ndryshim, nga reagimi ynë qytetar.
Kur është fjala për qytetin, nuk ka më të majtë apo të djathtë. Ka vetëm një palë që ka rëndësi: njerëzit.
Është e lehtë të kërkojmë e gjejmë fajtorë. Por përpara se të etiketojmë fajtorët dhe t’i drejtojmë gishtin dikujt të kuptojmë se për çdo gisht tregues drejtuar tjetrit, tre gishtat e tjerë tregojnë nga vetja.
Prandaj sot, me sinqeritet dhe përulësi, ju themi: ejani të punojmë së bashku. Të ulemi në tryeza të përbashkëta pune kur është nevoja. Të dëgjojmë njëri- tjetrin pa paragjykime. Të bashkojmë forcat kur Vlora ka nevojë për ne, sepse dashuria për qytetin është mbi çdo dallim politik.
Ne nuk kemi frikë nga bashkëpunimi, kemi frikë nga heshtja dhe skuthllëku. Dhe kur heshtja e skuthllëku bëhen rregull, papërgjegjshmëria merr fuqi.
Ndaj po e them qartë: Opozita në Këshillin Bashkiak nuk hesht. Do të flasë, do të propozojë, do të luftojë, por gjithmonë me zemrën në anën e qytetit.
E ardhmja e Vlorës nuk është vetëm në duart e atyre që qeverisin. Është në duart e të gjithëve ne. Dhe bashkë, mund të ndërtojmë një qytet më të jetueshëm, më të drejtë, më njerëzor.
Vlora nuk ka nevojë për luftë. Ka nevojë për dashuri! Për përkushtim! Për bashkëpunim! Për qytetarë të ndërgjegjshëm!