Intensifikohen kontrollet për nivelin e zhurmës në zonat turistike në Durrës, në kuadër të masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit veror. Policia e Durrësit thotë se ka zhvilluar takime informuese me subjekte, dhe ka ngritur grupe kontrolli në terren, sipas hartëzimit të zonave me ndotje akustike.
Gjatë kontrolleve janë kryer matje të zhurmës në ambiente të hapura dhe të mbyllura, duke konstatuar se niveli i zhurmës ka qenë brenda kufijve të lejuar. Gjithashtu, janë kryer verifikime edhe për respektimin e orarit të muzikës në ambiente të hapura, i cili lejohet nga ora 11:00 deri në 24:00 në zonat e banuara.
“Në vijim të masave sensibilizuese, janë organizuar disa takime informuese me persona fizikë, të cilët në veprimtaritë e tyre gjenerojnë zhurma nga muzika, kryesisht në zonat turistike. Në zbatim të detyrave të parashikuara në Planin e Masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror. Strukturat e sigurisë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, gjatë ditëve të fundit, sipas hartëzimit të zonave me ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonat turistike të Durrësit, për verifikimin e respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës, të përcaktuar në ligjin nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.
Matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar. Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.