Të marrësh një kredi nuk do të jetë më e lehtë për qytetarët që duan të blejnë një shtëpi. Bankat në vend paralajmërojnë shtrëngim të kushteve të kredisë që japin për të financuar blerjen e një prone gjatë tremujorit të tretë të këtij viti.
Ndikim në forcimin e kushteve që duhen plotësuar për të miratuar kredinë për blerje banese, po jep vendimi i Bankës së Shqipërisë për të kufizuar vlerën e huasë që bankat japin për blerje prone, si dhe tavani i caktuar për këstin mujor.
Këto kufizime jo vetëm do të shtrëngojnë automatikisht kushtet e kredisë, por nga ana tjetër do të zbehin edhe kërkesën e qytetarëve për hua për këtë qëllim. Të paktën ky është perceptimi i bankave për tremujorin e tretët të vitit.
“Politikat e kreditimit priten të jenë shtrënguese për individët, kryesisht në segmentin e kredive për blerjen e banesave. Në tremujorin e tretë të vitit 2025, bankat presin që kërkesa për kredi të bjerë, kryesisht në kreditë për blerjen e banesave”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Nga 1 korriku ka nisur zbatimi i kufizimeve që ndalon bankat të japin kredi mbi 85% për të financuar blerjen e pronës së para, si dhe kufizon edhe vlerën e këstit mujor të kredisë në 40% të totalit të të ardhurave të kredimarrësit. Këto shifra janë vetëm për shtëpinë e parë, pasi për të dytën dhe në vijim tavani i kredisë ulet në respektivisht 80% dhe 35%. Ndërsa kur huaja kërkohet në valutë tavanet janë edhe më të ulta deri në 75-70% të vlerës së pronës.
Këto kufizime u vendosën për të mbrojtur bankat nga ekspozimi i lartë në pasuri të patundshme, pasi në fund të 2024-ës totali i kredisë së dhënë për blerje banesa kaloi 2 miliardë euro, nga 1.8 miliardë euro që ishte në fund të vitit 2023.