Dy burra kanë vdekur në mëngjesin e së hënës në Gjakovë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës, sipas raportimeve të mediave lokale, nëpër të cilat viktimat janë përshkruar si punëtorë ndërtimi.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj është cituar të ketë thënë se viktimat kanë rënë nga një lartësi e objektit që ka qenë duke u ndërtuar, dhe nuk kanë mundur t’i përballojnë plagët e marra.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është bërë e ditur se janë duke u kryer hetime për zbardhje të rastit.
Në të kaluarën udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) janë shprehur të shqetësuar me, siç kanë thënë, kushtet e rënda me të cilat përballen punëtorët e ndërtimtarisë në punë.
Në Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë theksohet se siguria, trajnimi i punëtorëve, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve dhe makinerive janë obligime që duhet t’i zbatojë secili punëdhënës për të punësuarit e tij.
Sipas raportit të Inspektoratit të Punës për vitin 2024, vitin që kemi lënë pas janë regjistruar shtatë raste të vdekjeve në vendet e punës. /rel