Buxheti për pensionet do të njohë një rritje të konsiderueshme deri në vitin 2028, sipas Programit Buxhetor Afatmesëm 2026– 2028, miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Sipas këtij dokumenti zyrtar, fondi për skemën e pensioneve do të rritet nga 176.2 miliardë lekë në vitin 2025, në 205.4 miliardë lekë në fund të vitit 2028. Rritja me mbi 29 miliardë lekë është pjesë e angazhimit për indeksim dhe mbështetje të qëndrueshme për të moshuarit, duke reflektuar, gjithashtu, ndikimin e plakjes së popullsisë dhe inflacionit. Skema publike e pensioneve do të mbështetet me fonde gjithnjë e më të mëdha për të garantuar vijueshmërinë e pagesave, ndërkohë që parashikohen reforma për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë të sistemit.
Në raportin shoqërues të dokumentit thuhet se përmirësimi i të ardhurave të pensionistëve dhe përballueshmëria e jetesës për ta, mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë për periudhën 2026– 2028. Së bashku me pensionet, do të rritet edhe fondi për ndihmën ekonomike. Nga 8 miliardë lekë në vitin 2025, ky fond do të shkojë në 10.3 miliardë lekë në vitin 2028. Skema do të synojë vetëm shtresat në nevojë, me kritere të përditësuara të përzgjedhjes dhe mbështetje në bazë të pikëzimit dhe nivelit të varfërisë. Qeveria ka sqaruar se ndihma do të kanalizohet vetëm për kategori të caktuara si familjet pa të ardhura, nënat kryefamiljare, personat pa punë afatgjatë, etj..
“Skema e ndihmës ekonomike mbështetet në parimin e synimit të targetuar, duke përfshirë vetëm kategoritë më të cenueshme ekonomikisht”, thuhet në raportin shoqërues të dokumentit.
Sektorët socialë do të kenë financime gjithnjë e më të larta. Ministria e Shëndetësisë, për shembull, do të përfitojë 75.8 miliardë lekë në vitin 2028 nga 69.1 miliardë lekë në 2025. Brenda kësaj shume, do të rritet buxheti për barnat e rimbursueshme (nga 15.1 në 17.2 miliardë lekë), si dhe për Urgjencën Kombëtare, shërbimet në zonat rurale dhe rikonstruksionin e spitaleve. Edhe fondi për mbrojtje sociale, që përfshin pagesat për persona me aftësi të kufizuara, fëmijë jetimë, gratë viktima të dhunës dhe kategori të tjera të pambrojtura, do të rritet. Nga 20.4 miliardë lekë në 2025, fondi do të arrijë në 22.6 miliardë lekë në vitin 2028, me përqendrim te përmirësimi i shërbimeve sociale dhe integrimi i grupeve vulnerabël në jetën ekonomike. Qeveria synon, gjithashtu, të garantojë qëndrueshmërinë makroeko-nomike, duke ruajtur normën e rritjes ekonomike në 4% çdo vit deri në fund të vitit 2028. Buxheti total i shtetit do të rritet nga 4.7 miliardë euro në 2025 në mbi 4.9 miliardë euro në 2028, me një shpërndarje më të ekuilibruar të fondeve drejt sektorëve të kujdesit dhe mbështetjes sociale.
Ndërkohë, sektori i mbrojtjes do të ketë gjithashtu fonde të shtuara për modernizim, ndërsa disa linja të infrastrukturës do të reduktojnë peshën e tyre në shpenzimet buxhetore për t’i hapur rrugë investimeve sociale. Në këtë kuadër, Ministria e Infrastrukturës do të shohë një ulje të lehtë të fondeve, nga 760 milionë euro në 2026 në 714 milionë euro në vitin 2028. Përmes kësaj qasjeje, qeveria thekson se do të garantojë “një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare dhe një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së jetës për shtresat më të prekura të shoqërisë”.