Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest në burg për dy të arrestuarit në vendin tonë që transferuan nga Zvicra në Shqipëri miliona eurot përmes sistemit “Hawala”.
Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi, raporton se në burg janë lënë Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbaj.
Në kuadër të këtij hetimi, në Zvicër është arrestuar edhe Ervis Ferizaj.
Sipas SPAK, për kalimin e parave përmes sistemit “Hawala”, e cila nuk lë gjurme por ka si taksë masën 6% të vlerës, janë përdorur zyra të këmbimit valutor dhe agjencive turistike.
Sipas hetimeve, paratë e pista të futura në Shqipëri në qindra raste përgjatë 5 viteve të fundit, janë me burim trafikun e drogës në Zvicër ku po hetohet për persona të tjerë të dyshuar.
Grupi kriminal që pastronte dhe transferonte paratë e drogës nga Zvicra në Shqipëri, u shkatërrua dje nga SPAK.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, janë transferuar miliona Euro, por nuk ka specifikuar një shumë të saktë.
Dhjetëra anëtarë të grupit kriminal, 3 prej të cilëve e drejtonin nga Tirana, kishin ngritur një strukturë të tërë për “Hawala”, një metodë e transferimit të parave pa lëvizur në të vërtetë të holla fizike, por një person i dorëzon një shumë një agjenti lokal (i quajtur hawaladar), i cili më pas e njofton një koleg në një vend tjetër për të dhënë të njëjtën shumë marrësit. Gjithçka bëhet për të mos lënë asnjë gjurmë.