Ballina Ekonomia Interesat e kredisë konsumatore zbritën në 62.2% në gjysmën e parë të...

Interesat e kredisë konsumatore zbritën në 62.2% në gjysmën e parë të vitit

17
0

Normat mesatare të interesit për kreditë konsumatore pësuan rënie të mëtejshme në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë zbriti në 62.2%, nga 70.91% që kishte qenë në 6-mujorin e mëparshëm dhe 71.39% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për paradhëniet bankare (overdraftet) deri në 200 mijë lekë norma efektive mesatare shënoi rënie në 13.72%, nga 13.9% që ishte në 6-mujorin e kaluar dhe nga 14.04% që kishte qenë në gjysmën e parë të vitit 2024.

Edhe për kartat e kreditit deri në 200 mijë lekë, interesi mesatar zbriti në 20.29%, nga 20.47% që ishte në 6-mujorin e mëparshëm.

Për kreditë me këste me vlerë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, norma mesatare efektive e interesit ra në 26.41%, nga 27.42% që kishte qenë në 6-mujorin e mëparshëm.

Ndërkohë, për kreditë më të mëdha, me shuma nga 600 mijë deri në 2 milionë lekë norma mesatare e interesit u rrit në 11.2%, nga 11% që kishte qenë në gjashtëmujorin e mëparshëm.

Normat e mësipërme të interesit janë llogaritur mbi të gjitha kreditë konsumatore të dhëna nga bankat dhe institucionet financiare jobanka, bazuara në të dhënat faktike që pasqyrohen në Regjistrin e Kredive të Bankës së Shqipërisë. Norma mesatare efektive e interesit nuk nënkupton vetëm normën nominale të interesit të kredisë, por të gjitha kostot që i ngarkohen klientit për kredinë, duke përfshirë edhe komisionet apo tarifat e tjera.

Llogaritja e normës mesatare efektive të interesit shërben si bazë për të llogaritur më tej normën maksimale efektive të interesit për kreditë konsumatore (NEI maksimal)

Rënia e normës efektive mesatare të interesit përputhet në përgjithësi me një tendencë në rënie të interesave në tregun financiar, e përcaktuar nga lëvizjet e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, nga gjendja e lartë e likuiditetit në treg, por edhe nga një konkurrencë të lartë në tregun e kredisë konsumatore.

Kredia konsumatore u rrit me ritme të larta edhe në pjesën e parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 5-mujorin 2025 sektori bankar disbursoi 23.2 miliardë lekë kredi të reja konsumatore. Vlera e kredisë konsumatore u rrit me 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe ka prekur njëkohësisht vlerën më të larta historike për 5-mujorin.

Huadhënia konsumatore është gjithnjë e më e përqendruar në monedhën vendase. 89% e kredisë së re konsumatore të dhënë gjatë këtij viti ka qenë në Lekë.

Në fund të majit 2025, portofoli i kredisë konsumatore arriti vlerën e 96.6 miliardë lekëve, në rritje me 19.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. / Monitor