Koalicioni qeverisës i Japonisë, i përbërë nga Partia Liberale Demokratike (LDP) dhe partneri i saj Komeito, ka humbur shumicën në Dhomën e Lartë të Parlamentit pas zgjedhjeve të zhvilluara të dielën. Megjithatë, Kryeministri Shigeru Ishiba deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht humbjes.
Zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të thellë pakënaqësie publike për shkak të rritjes së kostos së jetesës, inflacionit, veçanërisht të çmimit të orizit, si dhe pasigurive nga tarifat tregtare amerikane. Koalicionit i duheshin 50 vende për të ruajtur kontrollin në Dhomën e Sipërme me 248 vende, por arriti të sigurojë vetëm 47.
Kryeministri Ishiba, duke folur pasi u mbyllën qendrat e votimit, pranoi “rezultatin e ashpër” të zgjedhjeve, por theksoi se fokusi i tij do të mbetet tek negociatat tregtare me SHBA-në.
Ndërkohë, Partia Demokratike Kushtetuese, opozita kryesore, fitoi 22 vende, ndërsa partia e vogël, por në rritje, Sanseito, e njohur për retorikën nacionaliste dhe anti-imigracion, shënoi një përparim të madh duke fituar 14 vende – një rritje e ndjeshme nga vetëm një vend që kishte në zgjedhjet e mëparshme.
Sipas analistëve, humbja reflekton jo vetëm lodhjen e votuesve me qeverinë aktuale, por edhe ndarjen brenda bazës konservatore të LDP-së. Jeffrey Hall, lektor në Universitetin Kanda, tha për BBC se shumë mbështetës të ish-kryeministrit Shinzo Abe e konsiderojnë Ishiban “jo mjaftueshëm konservator”, duke e kritikuar për qëndrimet më të buta ndaj Kinës dhe mungesën e retorikës nacionaliste.
Për më tepër, Sanseito, e udhëhequr nga Sohei Kamiya, e krahasuar me Donald Trump nga disa media, ka tërhequr mbështetje duke u fokusuar në politika “pro-japoneze”, teori konspirative dhe qëndrime të forta kundër emigracionit.
Pavarësisht thirrjeve të mundshme për dorëheqje, Ishiba qëndron në detyrë, ndryshe nga tre paraardhësit e tij nga LDP që dhanë dorëheqjen pas humbjes së shumicës në Dhomën e Lartë. Megjithatë, rezultatet e zgjedhjeve mund të nxisin sfida për lidershipin e partisë, me figura si Sanae Takaichi, Takayuki Kobayashi dhe Shinjiro Koizumi që përfliten si kandidatë të mundshëm.