Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja të forta në sektorin e ndërtimit dhe të sigurimeve, gjatë një mbledhjeje me deputetët e Tiranës dhe drejtues të bashkisë.
Ai tha se pas tërmetit janë bërë ndërhyrje të arsyeshme, por ka pasur devijime serioze, përfshirë edhe nga noterët.
Rama njoftoi se do të ndërmerren masa për rregullimin e sistemit të sigurimeve, përfshirë dhe garantimin bankar për lejet e ndërtimit, si dhe konfiskimin e objekteve të braktisura apo ndërtimeve problematike që datojnë që nga vitet ’90.
Ai paralajmëroi gjithashtu se çdo tejkalim mbi 2% të lejes së ndërtimit do të çojë në sekuestrim të menjëhershëm të objektit.
“Ne kemi bërë disa ndërhyrje të arsyeshme pas tërmetit, por gjithsesi ka pasur shumë devijime në disa kategori, përfshirë edhe noterët. Për këtë arsye do e adresojmë edhe problematikën e sigurimeve jo vetëm për tërmetet. Dhe bashkë me sigurimin jemi duke siguruar edhe një garanci bankare për të gjithë ata që marrin një leje drejtimi. Nga ana tjetër do të marrim një tjetër masë për të konfiskuar në interes të publikut të gjitha ndërtimet e braktisura dhe ndërtimet që nga vitet ‘90 që qëndrojnë si karakatina dhe që kanë problematika të natyrës mjedisore dhe të shëndetit të njerëzve. Kur vjen puna për shkeljen e lejes së ndërtimit mbi 2% mbi lejen e ndërtimit, atëherë kjo do të prodhojë sekuestrim të menjëherë të të gjithë ndërtimit. Paligjshmëria është e plotë, nuk është e pjesshme, bëhen me muaj dhe me vite nga njëherë janë me vetëdije të plotë ndaj ligjit”, tha kryeministri Rama.