Nëntë marinarë të huaj qëndrojnë të bllokuar prej muajsh në portin e Durrësit, pa mundur të marrin mbrapsht pasaportat e tyre, ndërkohë që situata për mbijetesën e tyre bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Tonin Gjinaj, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Transportit dhe Telekomunikacionit, apeloi për ndërhyrjen e autoriteteve për të liruar marinarët, të cilët sipas tij janë liruar nga akuzat për kontrabandë nafte.
Anija “Ayala Zanubia” u ndalua para nëntë muajsh nga organet ligjzbatuese shqiptare, pasi u konstatua se kishte 850 mijë litra karburant që dyshohej se do të hidhej në tregun vendas. Operacioni policor çoi në bllokimin e anijes në radë, ndërkohë që nëntë pjesëtarë të ekuipazhit, një shtetas egjiptian dhe tetë sirianë, mbetën të bllokuar.
Koha e gjatë e qëndrimit në port ka bërë që ata të mbeten pa furnizim me ujë dhe ushqime, ndërsa në vështirësi të mëdha ekonomike janë edhe familjet e tyre në Siri dhe Egjipt.