Dy shtetas izraelitë janë marrë në pyetje nga autoritetet belge pasi u identifikuan në festivalin e muzikës elektronike Tomorrowland pranë qytetit Antwerp, pas akuzave për përfshirje në krime lufte në Rripin e Gazës.
Prokuroria Federale belge njoftoi se ka ndërmarrë veprime pas marrjes së një ankese ligjore që pretendonte se dy ushtarë izraelitë, të përfshirë në “shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare”, ndodheshin mes pjesëmarrësve në festival.
“Pas intervistimit të tyre nga policia, ata janë lënë të lirë,” thuhet në deklaratën zyrtare të Prokurorisë, e cila shton se çështja është ende në fazë hetimore dhe për momentin nuk do të jepen informacione të tjera. Identiteti i dy personave nuk është bërë publik.
Sipas fondacionit belg pro-palestinez Hind Rajab Foundation (HRF), dy ushtarët izraelitë të dyshuar janë identifikuar në mesin e turmës në festival, ndërsa një grup të rinjsh mbanin flamurin e Brigadës Givati, një njësi ushtarake izraelite e përfshirë në luftime në Gaza.
HRF tha se ka depozituar një kallëzim penal pranë prokurorisë, në bashkëpunim me Global Legal Action Network (GLAN), një rrjet juristësh që merret me çështje të shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Prokuroria belge bëri të ditur se ka vepruar duke u bazuar në juridiksionin ekstraterritorial që Belgjika gëzon për hetimin e krimeve të luftës.
Tomorrowland është një nga festivalet më të mëdha të muzikës elektronike në botë, që këtë vit pritet të mbledhë rreth 400 mijë vizitorë përgjatë dy fundjavave.