Ballina Opinion Rama “kujtohet” për arsimin e lartë, jo se e kërkon vendi por...

Rama “kujtohet” për arsimin e lartë, jo se e kërkon vendi por se “ia kërkon Europa”

32
0

Nga Mirela Karabina 

Kryeministri Rama ka deklaruar sot në prezantimin e raportit nga Bordi i Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë se “duhet të rishikohet ligji për arsimin e lartë”, pasi duhet “një ofertë konkurruese për Bashkimin Europian.

Pra, Rama jo se u kujtua për nevojat e universiteteve apo të rinjve shqiptarë, por sepse – sipas tij – “kështu kërkon BE”.
Fatkeqësisht, kjo deklaratë nuk është reflektim politik, por arroganca e një kryeminsitri që në mandatin e katërt dëshmon dhe njëherë që nuk ka asnjë reflektim për gjendjen e rëndë në arsimin e lartë, nuk ka llogaridhënie dhe marrje përgjegjësie, thelbi i qasjes së kësaj qeverie është se ndryshimi nuk vjen nga ndjenja e përgjegjësisë ndaj qytetarëve, por si reagim ndaj presionit ndërkombëtar.

Dhe çudia ishte se të vetmin model suskesi që paraqiti në fjalën e tij tejet të shkurtër, ishte modeli i Universitetit Bujqësor të Tiranës si “një eksperiencë e jashtëzakonshme mbi lidhjen e këtij universiteti me universitetin “Boku” të Vjenës”, theksoi kryeministri.

Fatkeqësisht publiku disa muaj më parë është njohur me një një hetim të Prokurorisë së Posaçme ne këtë universitet, ku sipas hetimeve të SPAK, “dyshohet se zyrtarë të këtij universiteti kanë manipuluar nëntë tendera gjatë vitit 2022, me një vlerë totale prej 90 milionë lekësh”. Në kuadër të hetimit, janë lëshuar 24 masa sigurie për zyrtarë të këtij institucioni, duke zbuluar kështu një skemë korruptive.

Sigurisht që kryeminsitri me pupacët e tij në qeveri e ministri nuk kanë se çfarë suskesi të na tregojë, pasi ata janë përgjegjës numër një të dështimit të reformës nisur 10 vite më parë!

Por, për publikun dhe për si për t’ja kujtuar kryeminstrit dhe ministres së arsimit, po listojmë disa fakte që vetë kryeministri duhet t’i kishte sjellë në vemendje sot.

Ligji i Arsimit të Lartë u miratua nga vetë qeveria Rama në vitin 2015, mes protestash të pedagogëve dhe studentëve. Protesta e studentëve më 2018-ën dëshmoi gjendjen e rëndë në arsimin e lartë.

Ligji që duhej të reformonte universitetet shqiptare, jo vetëm që nuk solli cilësi, por e la sistemin në kaos pasi hyri në fuqi me 46 akte nënligjore të munguara. Si pasojë, universitetet u lanë në kaos institucional, me rregulla të paqarta, shpeshherë duke zbatuar praktika të vjetra në një sistem që pretendonte të ishtë i ri. Kjo ka sjellë jo vetëm rrëmujë institucionale, por edhe humbje të besimit tek arsimi i lartë publik.

Buxheti për arsimin është ndër më të ulëtit në rajon, në kufijtë e 2.29% të PBB-së (2024) – shumë larg standardeve europiane dhe premtimeve boshe të Ramës kur erdhi në pushtet më 2013-ën se do ta çonte në nivelin 5% të PBB. Ndërkohë që buxheti për arsimin planifikon 500 euro për student, vendet e OECD-së planifikojnë 18-20 mijë euro për student. Ndërsa kërkimi shkencor është i shpërfillur komplet, është lënë me buxhet qesharak dhe pa interes.

Oferta akademike nuk lidhet me realitetin e tregut të punës. Vetë qeveria për arsye populiste ka propaganduar degë dhe programe të reja pa një strategji kombëtare afatgjatë dhe duke i detyruar universitetet, të cilët për shkak dhe të buxhetit të ulët që kanë, të hapin degë të reja por pa mbështetje ligjore e funksionale.

Ndërkohë, vendi po përballet me mungesë të mësuesve, inxhinierëve, teknikëve dhe profesionistëve të rinj, ndërsa universitetet zbrazen nga studentët më të mirë që zgjedhin emigracionin si të vetmen rrugë. Por Rama dhe qeveria e tij përveç masave respresive nuk ka ende strategji zhvillimi për ndaljen masive të largimit të kapaciteteve jashtë vendit dhe hapjes rrugë zhvillimit.

Por jo vetëm treguesit kombëtarë rrëzojnë propagandën 10 vjeçare të Ramës, por dhe ato ndërkombëtare i kanë vënë vulën e zezë dështimit të Reformës në arsimin e lartë.

Raporti Raporti i UNESCO 2025 dhe Bankës Botërore 2024, kanë dëshmuar gjëndjen e rëndë në të cilën ndodhet arsimi i lartë: financim i ulët për arsimin e lartë, cilësi e ulët, kurrikula të vjetëruar e të palidhura me tregun e punës.
Në vend të reflektimit dhe përgjegjësisë, Rama me arrogancë kërkon të na tregojë se paska nevojë sot për ndryshim, duke iu rikthyer premtimeve populiste boshe.

Por problemi nuk qëndron vetëm ligji që ai po ë përdor sot. Problemi është te mungesa e vizionit dhe vullnetit politik të Ramës dhe qeverisë së tij për ta zhvilluar arsimin e lartë, te keqqeverisja dhe te kapja e institucioneve arsimore duke cënuar lirinë akademike dhe pavarësinë financiare të universiteteve.

Edi Rama dhe qeveria e tij nuk e patën arsimin asnjëherë prioritet, por thjesht një sektor i përdorur për përfitim nga klientët e pushtetit mbuluar me propagandë dhe në dëm të shqiptarëve.

Ndërsa vendi përballet me ikjen masive të të rinjve, qeveria vazhdon të flasë për “perspektivë europiane” pa reflektuar për realitetin që ka krijuar vetë.

Fushata vazhdon, por Shqipëria nuk shkon në Europë me propagandë – shkon me përgjegjësi, cilësi dhe institucione të forta.