Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria nuk mund të ketë shumë universitete.
Ai tha se duhet të ketë ndryshim strukturimi dhe qasjeje dhe se nuk bëhet fjalë për mbyllje vatrash dijeje.
“Tjetra që është fakt, nuk e ka fajin as bordi dhe as raporti, është se ne kemi një numër universitetesh për metër katror më të madh se Sllovenia, Anglia dhe plot të tjera. Kemi pasur edhe më shumë, kemi shkurtuar dhe kemi shumë. Është e vërtetë saqë në mendësinë e shumëkujt është bërë e udhës që sa herë ka fushatë zgjedhjesh, të thonë kur të shkosh atje premto një universitet se e duan afër te shtëpia, ndërkohë që Shqipëria është fare e vogël dhe distancat janë fare te shkurtra dhe burimet njerëzore të Shqipërisë nuk janë të Kinës. S’mund të kemi universitete sa ka Kina. Kemi folur edhe më parë për racionalizimin e universiteteve por s’e kemi bërë. Jo po Gjirokastra duhet ta ketë, jo po Vlora. Këtu bëhet fjalë për të ndryshuar strukturë dhe qasje. Jo për të mbyllur vatra që i shërbejnë dijesh. Më pas dalim te programet që e kemi problem të madh, programe që bëhen për të mbajtur studentë, dhe jo për të prodhuar ekonomi e dije. Rezistencë absurde nga një nukël x në një universitet y se jo s’i bashkohemi kësaj se ne e kemi ndryshe muhabetin.”