Aktualisht janë rreth 330 padi të ngritura kundër administratës së Presidentit Donald Trump. Gjykatat e niveleve më të ulëta kanë bllokuar ose kufizuar shumë nga veprimet e tij, ndërsa Gjykata Supreme ka hapur rrugën për disa iniciativa të presidentit, ndërkohë proceset gjyqësore vazhdojnë.
Gjykatësit kanë ndaluar të paktën për momentin përpjekjet e Trump për të ndaluar aplikimin e “ius soli” për disa kategori emigrantësh, për të ndëshkuar studio ligjore dhe Universitetin Harvard, si dhe për të përdorur rregulla të parashikuara në kohë lufte për dëbimin e emigrantëve, duke anashkaluar rrugën normale gjyqësore.
Në fund të qershorit, Gjykata Supreme, në një vendim mbi “ius soli”, edhe pse nuk ka dhënë një vlerësim për kushtetutshmërinë e tij, ka kufizuar fuqinë e gjykatave federale për të ndaluar vendimet e Shtëpisë së Bardhë në nivel kombëtar. Gjykata i dha administratës Trump 30 ditë kohë për t’i zbatuar këto vendime, ndërsa procesi vazhdon (duke përfshirë një padi kolektive).
Gjykatësit e Gjykatës Supreme gjithashtu lejuan Trump të kryejë shkarkime masive në agjencitë federale dhe i dhanë Doge, agjencisë për efikasitetin qeveritar, akses në të dhëna sensitive të sigurimeve shoqërore të miliona amerikanëve. Shumica e vendimeve janë të përkohshme, dhe rezultati i këtyre proceseve pritet të ndikojë në suksesin e tij në një mandat të dytë.
Përveç këtyre, Trump ka ngritur edhe padi kundër ligjeve në nivele shtetërore dhe lokale, rreth 11 sipas faqes Lawfare. Një kapitull veç e veç merret me përplasjet me median. Padia e Trump ndaj Murdoch, kompanive të tij dhe dy gazetarëve të Wall Street Journal lidhur me artikullin për Epstein, i bashkohet të paktën pesë padive të tjera që presidenti ka bërë kundër mediave.
Ai ka paditur gazetën Des Moines Register për një sondazh që e jepte gabimisht të humbur në Iowa para zgjedhjeve të 2024; ABC News për komentet e një moderatori; dhe Paramount për një intervistë me Kamala Harris (ABC dhe Paramount kanë bërë marrëveshje, duke paguar përkatësisht 15 dhe 16 milionë dollarë).
Gjithashtu, Trump ka paditur botuesin Simon & Schuster për përdorimin e intervistave audio me Bob Woodward (padi e arkivuar) dhe CNN për përdorimin e termit “gënjeshtër e madhe” në lidhje me akuzat për vjedhje zgjedhjesh në 2020 (padi e arkivuar). Nga ana tjetër, agjencia Associated Press ka paditur Trump për mospranimin e aksesit në Zyrën Ovale, ku Trump fitoi në apel, ndërsa mediat NPR dhe PBS janë objekt i përpjekjeve të tij për të ndaluar fondet federale ndaj tyre.