Shqipëria po arrin të marrë më pak fonde të huaja. Nga mbi 8.2 miliardë lekë të planifikuara, deri në qershor u arritën të përfitoheshin vetëm 7.6 miliardë lekë. Kjo shumë është 620 milionë lekë, ose 7.5 për qind më e ulët se sa ishte planifikuar.
Edhe vitin e kaluar, Shqipëria arriti të shfrytëzonte më pak se gjysmën e fondeve të huaja në dispozicion. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se, nga më shumë se 45 miliardë lekë të planifikuara, në fund të vitit u përfituan vetëm 25.3 miliardë lekë, shkruan A2 CNN.
Abuzimet me fondet IPARD në bujqësi, ato të FRONTEX për menaxhimin e kufijve, si edhe shpërdorimet e parave të Bashkimit Europian nëpërmjet Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë në sytë e donatorëve ndërkombëtarë.
Për pasojë, Ministria e Financave ka ulur pritshmëritë mbi përfitimin e fondeve të huaja, shumica e të cilave jepen në formë ndihme. Nga mbi 40 miliardë lekë të parashikuara vitin e kaluar, shuma e pritshme është ulur në vetëm 39 miliardë lekë për vitin 2026.
Kjo ndodh pasi, sipas Komisionit Europian, mungon transparenca dhe një pjesë e parave të shpenzuara nuk justifikohen dot, si në rastin e fondeve për tërmetin. Nga ana tjetër, edhe kontrollet e brendshme të kryera së fundmi kanë zbuluar si raste “dredhish” nga subjektet përfituese, ashtu edhe shpërndarje “klienteliste” të fondeve të Bashkimit Europian.