Ballina Aktualitet shtohet fluksi në Portin e Durrësit, gushti pritet të shënojë rekord pasagjerësh....

shtohet fluksi në Portin e Durrësit, gushti pritet të shënojë rekord pasagjerësh. Drejtuesit: Jemi të përgatitur

19
0

Porti i Durrësit është futur në fazën më intensive të sezonit turistik, me një rritje të ndjeshme në hyrje, sidomos nga portet italiane. Fundjava e datave 18–20 korrik ka shënuar fluksin më të madh deri tani, me mbi 13 mijë pasagjerë të regjistruar në hyrje.

Autoriteti Portual Durrës thotë se fluksi ishte i pritshëm, dhe se masat kanë nisur prej datës 12 korrik, kur linjat Durrës–Bari dhe Durrës–Ankona dhe anasjelltas kaluan në lundrime të dyfishta.

“Porti i Durrësit është futur tashmë në fazën më intensive të sezonit turistik, me një rritje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe brigjeve italiane. Që prej datës 12 korrik janë marrë masat e duhura, me lundrime të dyfishta, kryesisht gjatë fundjavave, dhe kjo do të vijojë gjatë gjithë sezonit”, thotë Kreshnik Bajraktari, drejtori ekzekutiv i APD.

Për të përballuar fluksin, autoriteti portual është në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Policinë Kufitare. Janë vënë në funksion 26 sportele për kontrollin e dokumenteve.

“Sipas statistikave, gjatë fundjavës së fundit kanë hyrë në vend 13,300 pasagjerë, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të vitit janë përpunuar 241,200 pasagjerë dhe rreth 104,200 automjete, me një rritje prej 6% krahasuar me vitin e kaluar. Këto shifra theksojnë edhe një herë rëndësinë e Portit të Durrësit si një nyje kryesore e hyrjes detare në vend”, shprehet Bajraktari.

Sipas parashikimeve, fluksi do të mbetet i lartë përgjatë gjithë gushtit, me kulm në hyrje gjatë ditëve të para të muajit, ndërsa në 15-ditëshin e fundit do të rritet ndjeshëm edhe numri i udhëtarëve që kthehen drejt Italisë.

Në total, gjatë sezonit veror janë parashikuar deri në 11 lundrime në ditë në të dy drejtimet, shifër që tregon qartë rolin strategjik të portit më të madh në vend në menaxhimin e lëvizjes masive të udhëtarëve dhe emigrantëve.