Besimi i qytetarëve shqiptarë tek Sali Berisha ka humbur plotësisht, por tashmë ai ka humbur edhe besimin e të vetëve, pasi PD nuk mbledh dot as 300 veta në shesh.
Kështu tha për emisionin ‘Sot, Live në Shqipëri’, juristi Kreshnik Spahiu. Dhe argumenti i tij analitik ishte se nëse PD-së iu vodhën 300 mijë vota më 11 maj, atëherë përse Berisha nuk mbledh dot as 300 protestues në shesh?
“Ka dy muaj që thotë se u vodhën votat. Thotë se u vodhën 300 mijë vota me tren bullgar. Por nuk ka mbledhur dot as 300 vetë në shesh, s’ka bërë tre protesta, i shmanget protestave dhe i shtyn ato pas pushimeve. Si ka mundësi? Ka një gjë, ose nuk janë vjedhur 300 mijë vota, ose ka humbur mbështetjen”, u shpreh juristi për Report Tv.
Madje duke e njohur mirë kreun e PD-së, ai ndau mendimin se po të kishte 300 mijë mbështetës të opozitës, jo vetëm pushime nuk do bënte Berisha, por do të ishte në shesh për protestë.
“Por të jeni të bindur, se po të kishte 300 mijë njerëz, ai as pushime nuk do bënte. Do dilte në shesh për protesta”, komentoi juristi.