Ballina Aktualitet Task-forca e SPAK për krimet zgjedhore, Lala bën deklaratën e fortë: 200...

Task-forca e SPAK për krimet zgjedhore, Lala bën deklaratën e fortë: 200 mln lekë u gjetën në banesën e një biznesmeni

9
0

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në  një emision televiziv, ka folur për task forcën e ngritur nga SPAK për evidentimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore. Lala renditi disa nga rastet ku dyshohet për krim zgjedhor, por shtoi se pritshmëritë ndaj SPAK dhe institucioneve ishin më të larta dhe se nuk ka patur arrestime në flagrancë, siç pritet për krime të kësaj natyre.

“Kam patur shumë më tepër pritshmëri për task forcën që u ngrit nga SPAK për hetimin zgjedhor. Prokuroria ka raportuar çështjet, janë mbi 35 raste që janë procedime penale, kryesisht në fushën e korrupsionit apo vepra të tjera penale, që lidhen me zgjedhjet dhe po hetohen. Janë raportuar arrestime, që kanë të bëjnë me babain e një deputete të PSD, në Fier, ka patur disa persona të tjerë në Kukës për PSD, ndërkohë që çështjet më të rëndësishme që duhen parë, lidhen me qarkun e Elbasanit.

Është një cështje që gjatë kontrolleve janë gjetur rreth 200 milionë lekë të vjetra, në shtepinë e një biznesmeni që dyshohet se blinte vota në favor të një kandidati në listën e hapur të PS, por ai ka pretenduar që janë para për shkak të aktivitetit të biznesit. SPAK ka dyshime se do të përdoreshin për shitblerje votash, ndaj ka patur kontrolle në disa baza ose banesa dhe kontrolle personale të disa personave. Them është rast interesant, sepse përgjimet janë lidhur më pas me shumën e parave, por nuk ka persona të arrestuar.

Po ashtu ka patur disa zhvillime, sa i përket Shkodrës, ka patur kontrolle, marrje celulari të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, që është i PS, ndërkohë ka patur kontrolle në baza dhe banesa të personave që dyshohen për krim zgjedhor. Nuk ka të arrestuar por mendoj se ka interes si çështje dhe po kqyren celularët.

Kemi rastin e Kavajës, Elvis Rroshi, ish kryetari i Bashkisë së Kavajës, e dimë që ka kaluar nga njëra forcë politike te tjetra. Kushëriri i tij kandidonte për PD. Në këtë rast policia ka bërë referim për krim zgjedhor.

Ajo që kam konstatuar me shqetësim, ka të bëjë me faktin që Policia e Shtetit, nuk ka qenë bashkëpunuese pavarësisht se është shfaqur si e tillë në sipërfaqje dhe ka referuar kryesisht, raste që lidhen me opozitën. Kështu e kam parë çfarë ka bërë policia në raport me këto zgjedhje.

A ka patur shitblerje të votës? Këtë e besoj dhe shifrat e tregojnë. A ka patur përdorim të administratës në zgjedhje? Ky është fakt i njohur botërisht, mjafton të shohësh fushatat, përdorimin e automjeteve të ministrave, asfaltet elektorale, por jo domosdoshmërisht janë në kompetencën e SPAK.

Kam pritur shumë më tepër për task forcën e zgjedhjeve. Kishte marrëveshje mes institucioneve dhe mund të kishte arrestime në flagrancë. Por duhet të kemi parasysh që krimin zgjehdor mund të ndëshkohet edhe më vonë. Megjitahtë besoj se do të ketë të ndëshkuar”, tha Lala.