Ballina Rajoni Vuçiq reagon pas paraburgimit të Igor Popoviç

Vuçiq reagon pas paraburgimit të Igor Popoviç

22
0

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e 30 ditëve paraburgim ndaj Igor Popoviqit, zëvendësdrejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.

Popoviq u arrestua pas deklaratave fyese dhe nxitëse ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si “organizatë terroriste” gjatë një vizite në Hoçë të Madhe të Rahovecit.

Fillimisht, ai ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa më pas ndaj tij u caktua masa e paraburgimit prej një muaji.

Në një reagim të publikuar nga mediumi serb Novosti, Vuçiq e akuzoi kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për nxitje të tensioneve në rajon.

“Ky vendim tregon se Albin Kurti e ka humbur mendjen dhe po përpiqet të provokojë një konflikt në Ballkanin Perëndimor. Ne i kemi informuar të gjithë partnerët tanë. Mund të ketë pasoja të paparashikueshme”, deklaroi Vuçiq.

Popoviq gjatë fjalimit të tij kishte përdorur gjuhë që nxit përçarje etnike, duke thënë se “vëllezërit tanë janë viktima pasi terroristët e UÇK-së nuk kanë dashur që serbët të jenë në këto treva”.

Autoritetet në Kosovë po e trajtojnë çështjen si nxitje të urrejtjes ndëretnike, ndërkohë që reagimi i Beogradit ka shtuar tensionet diplomatike mes dy vendeve.