Ballina Kosovë Afati për konstituimin e Parlamentit drejt djegies, Osmani i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Afati për konstituimin e Parlamentit drejt djegies, Osmani i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

0
40

Katër ditë larg afatit që Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vendosur për konstituimin e parlamentit, Presidentja e Kosovës i është drejtuar këtij institucioni për tu shprehur me sqarime në lidhje me pasojat që do të vijnë nëse ai do të digjet. Vjosa Osmani njoftoi në një konferencë publike se i ka kërkuar Gjykatës të sqarojë pasojat juridike që do të vijnë nëse deputetët në parlament nuk do të arrijnë të konstituojnë parlamentin.

Gjithashtu Osmani tha se shpreson që Kushtetuesja të shqyrtojë me prioritet kërkesën e Presidencës dhe mbi të gjitha që afati i 26 Korrikut të ngrijë, deri në sqarimin e plotë juridik me daljen e aktgjykimit të ri. Osmani shpjegoi se cilat janë shqetësimet e institucionit që drejton dhe se çfarë pyetjesh sqaruese i ka bërë gjykatës. Ato kanë të bëjën kryesisht me kushtetueshmërinë e parlamentit dhe qeverisë që mund të votohen pas së shtunës së ardhshme.

“Në rast të mosrespektimit të afatit: A do të ishte një kuvend i tillë kundërkushtetues nëse konstituohet pas 26 Korrikut? A do të ishte një qeveri e votuar nga ai kuvend po ashtu kundërkushtetuese? A mundet që Presidenca ta caktojë mandatarin që rrjedh nga një kuvend kundërshtuetues? A do të mundë presidenca që të caktojë mandatarin i cili do të votohet në një kuvend që është formuar në kundërshtim me kushtetutën?”, tha Osmani në renditjen e pyetjeve në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë.

Votimi i fshehtë i kërkuar me ngulm nga LVV javët e fundit, që ka çuar në përplasje partitë në Parlament nuk është ndër pyetjet për të cilat Osmani i ka kërkuar sqarim Kushtetueses. Ajo tha se kjo çështje ka qenë objekt i kërkesave të mëparshme të partive dhe është parë e arsyeshme të mos dublikohet si çështje për sqarim.