Ballina Kosovë Çun Lajçi “godet” klasën politike: “Ju tredhni miza në Kuvend, populli s’është...

Çun Lajçi “godet” klasën politike: “Ju tredhni miza në Kuvend, populli s’është hakërim!”

28
0

Aktori Çun Lajçi, në një reagim, ka deklaruar se ka hequr dorë nga komentimi i skenës politike shqiptare.

I zhgënjyer nga deputetët që “s’dinë të shohin përtej mëditjeve” dhe nga një klasë politike që “nuk pranon humbjen”, ai thotë se “politikanë të ndershëm ka vetëm ndër varre”.

Me një gjuhë therëse e metaforike, shkrimtari e krahason veten me Ezopin, duke theksuar se po largohet nga një shoqëri që nuk i njeh vlerat.

Ai shprehet se ka mbetur vetëm nën lisa, duke folur me degët, ndërsa të tjerët “mbushin xhepa e arka”.

“Biseda me pushtetarët është si shushurima e gjetheve kur i merr era”, përfundon ai.

Shkrimi i plotë:

Albin

E ndjeve më n’fund,(besoj), që unë s’po shkruaj më as për t’bëmat as për ndërskamcat politike e “egjren” e deputetëve që s’shohin përtej mëditjeve që marrin, e s’dinë të shkruajnë përtej firmës që hedhin në letër çdo 48 orë, kur futen në Kuvend për t’u tallur me popullin që hesht e nuk bëhet “hakërim” i Ali Asllanit, e t’futët në sallë, (ku ju dhe të tjerët tredhni miza), e t’ua këpusin dallaveret me poste, e t’ju thonë: “Hani, pini e rrembeni, mbushni xhepe mbushni arka…!”

– Se e kuptova më n’fund se politikanë të ndershëm dhe shqiptarë atdhetarë pa interes paska vetëm ndër varre. Nën lisa paskan mbetur vetëm ca si unë, që flasin me degët dhe numërojnë gjethet që bien në tokë nga vapa përcëlluese e kësaj vere politike, të habitshme, me njerëz të mbushur faje!

E kuptove, besoj, pse nuk po shkruaj më për njerëzit që fitoren s’duan t’ia dhurojnë popullit, dhe për ata që kurrë, ama kurrë, s’e pranojnë humbjen, madje madje, provojnë që edhe humbjen ta kthejnë në triumf!

Jam ngopur me njerëzit që duan vetëm vetveten, lartësojnë vetëm vetveten, kuptojnë vetëm vetveten dhe vetëm vetvetes i besojnë. Meritën e tjetrit kurrsesi nuk e pranojnë, dhe kurrsesi nuk mendojnë kolektivisht për të mirën e atdheut!

Po shkruaj në një rrugë ku njerëzit ngarendin të futen në restorant për ta shuar urinë me ndonjë mish të pjekur viçi, e për ta shuar etjen me ndonjë gotë verë, pa më vërejtur mua, e pa i parë librat – shkruar me dhimbjen për një popull që pulën e pjekur e ve mbi dijen!

Albin, e kuptova më në fund se unë jam një hiç në vorbullën e budallenjëve dhe biseda me pushtetarët, qenka si shushurima e gjetheve kur i merr era, ndaj po bëhem Ezop, po iki nga njerëzit që s’ta pranojnë vlerën, e po i këndoj mençurisë që ma mësuan shputat e regjura gurëve t’sokakut!