Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi dhe avokatët e Ilir Metës, në një konferencë për mediat paraditen e së martës denoncoi atë që e cilësoi izolim politik të paligjshëm të kreut të PL. Blushi tha se Ilir Metës po i mohohet takimi me të afërmit, avokatët dhe përfaqësues të Partisë së Lirisë duke u mbajtur në izolim të plotë.
“Prej më shumë se një muaji e kam të pamundur të komunikoj me Metën edhe nga kabina telefonike e IEPV edhe pse numri im është i regjistruar atje. Metës i janë penguar qëllimisht takimet me deputetë, eurodeputetë, me familjarë si motra dhe fëmijët, si dhe me avokatët. Rrëmbimi i Metës dhe izolimi politik i tij ka ndodhur fund e krye për arsye se regjimi i tmerruar nga të vërtetat e Metës edhe kur thuhen nga kabinat telefonike të burgut 313 po i cenon lirinë e fjalës si masë represive që ndodhi veçanërisht pas dy lidhjeve telefonike me gazetarë”, tha ai.