Nga Albert Vataj
Në një epokë të trazuar, kur Europa po tronditej nga marshimi i fashizmit dhe retorika e Musolinit kumbonte përtej brigjeve të Adriatikut, një sy i mprehtë, ai i Giuseppe Massanit, shihte dhe regjistronte një Shqipëri që ndodhej mes realitetit të saj të vjetër dhe imazhit të ri që propaganda donte t’i jepte.
Fotografitë e tij, të botuara në vëllimin “Albania: testo e foto di Giuseppe Massani” (Romë, 1940), nuk ishin thjesht kartolina nostalgjike. Ato ishin mjet politik dhe njëkohësisht dëshmi të paçmuara, ku ndërthuren mjeshtëria artistike dhe hijet e propagandës.
Mes reporterit të përkushtuar dhe artistit të paanshëm, mes njeriut që shërbente një ideologji dhe krijuesit që s’dinte të ndalonte së fiksuari bukuritë e vërteta, Massani lëvizte në një labirint të dyfishtë. Nga njëra anë, misioni i tij ishte i qartë: t’i paraqiste Italisë fashiste një Shqipëri të shkëlqyer, të ndriçuar nga rregulli dhe përparimi nën simbolin e Liktorit. Nga ana tjetër, objektivi i tij kapte gjeste, fytyra, peizazhe e zakone që asnjë censurë propagandistike nuk mund t’i zbehte.
Dhe lindin pyetjet që trazojnë çdo studiues:
– Ç’bënin portretet e Viktorit Emanuelit III dhe të Duçes në një shtëpi alpine në Theth?
– Ç’kuptim kishin buzëqeshjet dhe takimet miqësore të banorëve të Tiranës me ushtarakë italianë në rrugë?
– Çfarë tregonte biseda e çiltër e një zonje shqiptare, e veshur me kostum kombëtar, me vetë Benito Musolinin?
Këto nuk janë thjesht pamje të fiksuara në celuloid. Janë simbolika të një kohe kur Shqipëria po përdorej si skenë për të luajtur dramën e lavdisë romake. Por ato, në të njëjtën kohë, mbeten dëshmi e një realiteti etnografik, të zakoneve të gjalla, të lagjeve tradicionale, të tregjeve të gjallëruara, të punëve të dorës, riteve të përditshme dhe panoramave që frymojnë autenticitet.
Siç vëren albanologu Robert Elsie, Massani kishte qenë tashmë një ithtar i flaktë i fashizmit, autor albumesh për rajone të ndryshme italiane, përpara se të mbërrinte në Shqipëri. Albumi për Shqipërinë ishte një pasaportë ideologjike për publikun italian, e përgatitur me mbështetje zyrtare dhe një kujdes të hollë për të krijuar imazhin e një bashkimi italoshqiptar.
Por brenda atij kuadri të kujdesshëm propagandistik, objektivi i Massanit shpesh “tradhtonte” misionin e vet: ai ndalonte mbi një fytyrë të rrudhur bariu, mbi një veshje popullore të qëndisur me dorë, mbi një peizazh të egër që s’pranon të zbutet nga parullat, mbi lojën e fëmijëve në rrugë të gurta. Pikërisht këto çaste i japin albumit të tij vlerën e vërtetë etnografike e kulturore.
Albumi i Massanit është, kësisoj, një mozaik i dyfishtë:
një pasqyrë e një kohe para komunizmit, e një Shqipërie që kishte ende gjurmët e saj të lashta dhe të papërlyera nga dogmat e reja, por edhe një skenografi politike që donte të bindte publikun se “Riviera Shqiptare”, qytetet dhe fshatrat, ishin tashmë pjesë e një perandorie të ringjallur.
Një trashëgimi e dyfishtë
Sot, albumi i tij nuk lexohet vetëm si propagandë, por si një arkiv i pasur kujtesash, një koleksion pamjesh që shpalos jetën shqiptare në kufirin e një epoke të humbur. Aty ku synimi ideologjik donte të tregonte një vend të përkulur, pamjet e tij në fakt dëshmojnë një vend që jetonte, punonte, vallëzonte, dhe që kishte fytyra e histori përtej çdo pushteti.
Giuseppe Massani mbetet një figurë paradoksale: njëkohësisht shërbëtor i një regjimi dhe ruajtës i paqëllimtë i një trashëgimie vizuale që sot na ndihmon të kuptojmë më mirë veten tonë dhe rrugën që kemi përshkuar.
Në fund të fundit, fotot e tij janë më shumë se pamje: ato janë dëshmi të një kohe ku drita dhe hija e historisë bashkëjetonin në të njëjtin kuadër.