Ballina Rajoni Goditet rrjeti i trafikut të kokainës në Greqi/ Si grupi i punonjësve...

Goditet rrjeti i trafikut të kokainës në Greqi/ Si grupi i punonjësve të portit dhe shqiptarët kryenin shpërndarjen e drogës me ‘Porche’

25
0

Një rrjet i mirëorganizuar trafiku kokaine, me protagonistë punonjës portualë grekë dhe shpërndarës shqiptarë, u zbulua nga autoritetet greke pas një operacioni të koordinuar që kulmoi në orët e para të mëngjesit të së hënës.

Operacioni policor u finalizua në portin e Pireut, ku dy nga shtatë punonjësit e përfshirë u kapën në flagrancë teksa merrnin çanta me kokainë nga një kontejner që kishte ardhur nga Ekuadori.

Çantat u ngarkuan menjëherë në një makinë luksoze të markës “Porsche”, ku i priste një bashkëpunëtor i tyre. Sipas hetimeve, rruga e drogës niste nga një port në Ekuador, ku punonjës lokalë të korruptuar ngarkonin drogën në kontejnerë me destinacion Greqinë.

Në portin e Pireut, shtatë punonjës grekë me pozita të veçanta brenda strukturës portuale ndërhynin për të tërhequr mallin dhe për ta dorëzuar më pas te shpërndarësit shqiptarë. Sipas medive greke, për çdo ngarkesë me kontejner, fitimi ishte 200.000 euro.

Autoritetet kishin në shënjestër këtë grup prej kohësh dhe ngarkesa e fundit duket se ishte rasti i pritur për të ndërhyrë.

Pas marrjes së çantave, të dy punonjësit tentuan të largoheshin me makinën luksoze, por forcat e rendit ndërhynë dhe u vu në ndjekje. U zbulua se automjeti ishte në pronësi të njërit prej punonjësve të portit dhe përdorej rregullisht për transportin e drogës.

Kokë e rrjetit dyshohet të jetë një 35-vjeçar grek, i njohur për autoritetet për lidhje të mëparshme me trafikun e drogës. Ai kishte krijuar kontakte të ngushta me rrjetin shqiptar të shpërndarësve, nga të cilët disa dyshohet se ndodhen ende në Greqi.

Roli i secilit punonjës portual ishte i përcaktuar me përpikëri, një kujdesej për kamerat e sigurisë për të “fshehur gjurmët”, një tjetër organizonte turnet për të siguruar praninë e të gjithëve në të njëjtën kohë, duke lehtësuar veprimin.

Komunikimi mes tyre bëhej vetëm “live”, pa telefonata, për të shmangur çdo përgjumje apo përgjim.

Autoritetet po thellojnë hetimet për të përcaktuar nëse ky rrjet ka qenë i përfshirë edhe në ngarkesa të tjera që mund të kenë kaluar të padiktuara. Ndërsa janë lëshuar urdhër-arreste për disa nga trafikantët shqiptarë, që ende nuk janë kapur.