Ballina Politika Rama ndan videon e pazakontë: Shumë shpejt paketë ligjore për këtë soj...

Rama ndan videon e pazakontë: Shumë shpejt paketë ligjore për këtë soj dhunuesish!

45
0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook ndaj një rasti të ndodhur në Tiranë, ku disa persona shfaqen duke lyer me bojë një varkë të vendosur në një hapësirë publike, jo larg qendrës së kryeqytetit. Ngjarja është bërë virale pas publikimit të një videoje që e shoqëron edhe vetë postimin e Kryeministrit.

Kryeministri theksoi se nuk mjafton ndërhyrja sporadike e autoriteteve për të ndëshkuar raste të tilla, por kërkoi një qasje më të ashpër ligjore. Rama paralajmëroi një paketë të re ligjore që do të synojë ndëshkimin penal të individëve që abuzojnë me hapësirat publike për përfitime personale apo ndërtime të paligjshme.

Sipas tij, kjo iniciativë ligjore do të shërbejë për të mbrojtur hapësirat e përbashkëta nga ndotja, zaptimi dhe shfrytëzimi abuziv.

“Kjo nuk mund të jetë kurrësesi një skenë e zakonshme nga jeta e një lagjeje në qytetet e Shqipërisë 2030 në BE, e jo më një skenë e përditshme as 1 kilometër nga bulevardi i Tiranës. Dhe këtu nuk është çështja të shkojë ky e të shkojë ai për t’i larguar këta dhunues të jetës komunitare duke i gjobitur.

Këtu duhet vënë njëherë e mirë me ligj e me zakon dhe kushdo që e dhunon hapësirën e përbashkët publike me një akt zaptimi, duke bllokuar, ndërtuar, ndotur apo bërë biznes në kurriz të komunitetit, duhet të ndëshkohet penalisht. Shumë shpejt do të kemi një pako speciale ligjore për këtë soj dhunuesish”, ka shkruar Rama.

Postimi vjen në një kohë kur shqetësimi për ndërhyrjet dhe zaptimet në hapësirat publike urbane është në rritje, sidomos në kryeqytet, ku raste të tilla shpesh hasen në rrugë, trotuare apo zona të gjelbëruara.