Ballina Ekonomia Shqipëria ngre një tjetër impjant në energjinë e rinovueshme, firmoset pakti për...

Shqipëria ngre një tjetër impjant në energjinë e rinovueshme, firmoset pakti për Parkun fotovoltaik në Belsh

28
0

Të martën e 22 korrikut është nënshkruar marrëveshja për kredinë dhe grantin që do të financojnë projektin për ndërtimin e parkut fotovoltaik në Belsh.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se ky park do të furnizojë me energji elektrike mbi 16 mijë e 100 abonentë.

“Shqipëria është një nga vendet më tërheqëse për zhvillimin e energjisë së rinovueshme. Përveç angazhimit të sektorit privat, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka marrë rolin që i takon dhe ka nisur një sërë projektesh të rëndësishme. Aktualisht janë në zhvillim dy impiante inovative, jo vetëm me panele diellore lundruese, por edhe si shembuj të zhvillimit të qëndrueshëm, pa dëmtuar mjedisin”, u shpreh Balluku.

Ajo theksoi gjithashtu partneritetin me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe rëndësinë e investimeve në kapacitetet transportuese të energjisë, përfshirë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë për trefishimin e kapaciteteve transmetuese, si dhe negociatat me Italinë për ndërtimin e linjës nënujorë të transmetimit të energjisë.

“Në këtë kuadër, vjen edhe një projekt tjetër i rëndësishëm. Sot do të firmosim marrëveshjen për financimin nga BERZH të parkut fotovoltaik në Belsh. Ky projekt do të furnizojë me energji 16,100 abonentë dhe do të reduktojë emetimet e CO2 me rreth 15 mijë tonë në vit. Të gjitha zonat ku do të ngrihen këto projekte janë të mirëstudiuara”, ravijëzoiBalluku.

Ajo shpjegoi procedurat, afatet dhe vlerën e investimit për projektin në fjalë.

“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për ne në Ministri, veçanërisht për KESH. Ai lindi gjatë periudhës së krizës energjetike, kur Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit e tij hapën një thirrje për projekte të dedikuara për rritjen e kapaciteteve në energjinë e rinovueshme. Kjo thirrje rezultoi e suksesshme për ne, pasi arritëm të përfitonim një grant prej 9.58 milionë eurosh, që përbën 23% të vlerës totale të investimit. Krahas grantit, projekti mbështetet edhe nga një hua prej 30 milionë eurosh nga BERZH, tashmë një partner i konsoliduar në sektorin tonë energjetik”, deklaroi Balluku.

Ajo shtoi se projekti ka afate të qarta dhe të përcaktuara mirë.

“Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes do të përgatitet thirrja ndërkombëtare për ndërtimin e parkut. Kompania fituese do të ketë një afat prej 6 muajsh për dorëzimin e projektit të detajuar, ndërsa 12 muaj do të jenë të mjaftueshëm për përfundimin e ndërtimit të kësaj vepre”, përfundoi ajo.

Balluku, u shpreh gjithashtu se Shqipëria ka fituar një reputacion pozitiv në tregun ndërkombëtar përsa i përket ankandeve të zhvilluara në fushën e energjisë së rinovueshme.

“Kemi krijuar një emër të mirë në tregun ndërkombëtar për ankandet publike të energjisë së rinovueshme. Një prej arritjeve është angazhimi i bashkive për të vënë në dispozicion toka të pafrytshme, të cilat nuk shfrytëzohen për qëllime bujqësore apo prodhimi, për t’u përdorur në projekte energjetike përmes ankandeve ndërkombëtare”.

Ajo bëri të ditur se Ministria, në bashkëpunim me njësitë vendore, ka nisur procesin e identifikimit të pronave publike që ndodhen në inventarët e bashkive dhe që nuk janë aktualisht në përdorim produktiv.

Këto prona do t’i kalohen ministrisë për t’u përfshirë në proceset e ankandeve ndërkombëtare, duke bërë bashkitë partnere të drejtpërdrejta në këtë proces.

“Shpesh kemi parë raste kur toka të tilla jepen me qira nga bashkitë për subjekte private, pa ndonjë përfitim të strukturuar afatgjatë për komunitetin. Ndaj, përmes kësaj nisme, jo vetëm që do të krijojmë hapësira për investime të huaja në energji të pastër, por njëkohësisht do të sigurojmë që përfitimet e këtij zhvillimi t’i kthehen edhe bashkive dhe banorëve të zonave përkatëse”, tha ministrja.