Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, është shumë pranë një transferimi të bujshëm në Sunderland, në rast se largohet këtë verë nga Bayer Leverkusen.
Lajmi është konfirmuar nga gazetari i njohur David Ornstein, i cili shkruan se Xhaka dëshiron vetëm kalimin te Sunderland, pavarësisht interesit nga klubet e tjera.
Sipas raportimeve, bisedimet mes dy klubeve janë në vazhdim, ndërsa një marrëveshje personale mes Xhakës dhe Sunderlandit është arritur tashmë.
Zhvillimet vijnë pak ditë pasi klubi saudit Neom SC bëri një ofertë konkrete për Xhakën, duke arritur një marrëveshje verbale me mesfushorin. Megjithatë, lojtari dhe familja e tij vendosën të refuzojnë transferimin në Arabinë Saudite, duke konsideruar se nuk ishte lëvizja e duhur për ta.
Edhe Milani dhe Interi shfaqën interes për 32-vjeçarin, por tashmë Sunderland është në pole-position për të siguruar shërbimet e ish-kapitenit të Arsenalit.
Nga ana tjetër, trajneri i Bayer Leverkusen, Erik ten Hag, shpreson ta mbajë Xhakën në skuadër. Në një prononcim për Bild, ai u shpreh: “Nëse do të varej nga unë, Granit duhet të qëndrojë.”
Në rast se transferimi konkretizohet, Xhaka do të bëhej lojtari i radhës që kalon nga Leverkusen në Premier League, pas Florian Wirtz dhe Jeremie Frimpong, të cilët janë transferuar te Liverpool këtë merkato.
Një rikthim në Angli për Xhakën, këtë herë me ngjyrat e Sunderlandit, duket gjithnjë e më i afërt.