Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia dy vëllezërit Agim dhe Florenc Domi, të arrestuar pas kontrolleve në magazinën e kompanisë “Master AL” ku grumbulloheshin ushqimet e skaduara dhe pasi iu ndryshohej etiketa dhe data, hidheshin në treg.
Ata do të hetohen në masën “arrest në shtëpi”, me kërkesë të prokurorit të çështjes.
Agim Domi ishte administrator i magazinës, ndërsa Florenc Domi punonte si magazinier.
Në gjykatë, vëllezërit thanë se produktet e gjetura nuk ishin për treg, por për t’u asgjësuar sapo të siguroheshin kushtet financiare.
Policia dhe prokuroria sekuestruan 716 koli dhe dhjetëra kilogramë produkte të përpunuara, si kroasantë dhe fruta të thata, të cilat ishin të skaduara prej 7 muajsh dhe me etiketa të dyshuara si të falsifikuara, në kuadër të operacionit “Siguria Ushqimore”.
Ndaj vëllezërve Domi dhe ortakut të tyre te “Master AL”, Skifter Tagani i cili u precedua penalisht të shtunën, rëndojnë akuzat “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.