Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha vijon të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.
Gjatë konferencës me gazetarët, kryedemokrati tha se ‘350 kuti votimi janë marrë nga magazinat e KQZ-së pas asnjë dokument’.
Më tej ai shton se këto kuti ‘janë dorëzuar në një vend të administruar nga një ish-deputet i Partisë Socialiste’.
“Për një shoqëri, groposja e zgjedhjeve si proces demokratik, shndërrimi i tyre në farsë elektorale, është de facto dhe de jure varrosje e shtetit ligjor, Kushtetutës dhe demokracisë së atij vendi.
Në farsën elektorale të 11 majit 2025, Edi Rama ka përdorur të gjitha format, mënyrat, mjetet, pushtetet për denatyrimin e zgjedhjeve në mënyrë të plotë dhe totale.
Sot unë kam këto pyetje për Ilirjan Celibashin.
A janë marrë 350 kuti votimi me 12 apo me 13 prill të vitit 2025 nga magazinat e KQZ-së në Farkë? Së pari.
Së dyti. A ka firmosur ai dorëzimin e personave të caktuar të 350 kutive të votimit?
Së treti. A ka dijeni ai për marrjen e tyre pa asnjë dokument? Për marrjen e tyre pa asnjë dokument dhe dërgimin e tyre në një lokacion të administruar nga një ish-deputet socialist.
Dhe e fundit. I kërkoj zotit Celibashi të dorëzojë menjëherë kamerat e magazinave të materialeve të votimit sipas kërkesës të përfaqësuesve të Aleancës për Shqipërinë Madhështore në KQZ.” – u shpreh Berisha.