Ballina Aktualitet 2 mijë gjoba në dy javët e fundit/ Policia e Shkodrës me...

2 mijë gjoba në dy javët e fundit/ Policia e Shkodrës me masa të shtuara: Arrestohen 4 drejtues, proceduan 9 të tjerë

0
18

Shërbimet e Policisë Rrugore në Shkodër kanë rritur gatishmërinë dhe vigjilencën, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve, gjatë sezonit veror.

Gjithashtu, monitorojnë pandërprerë akset rrugore, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, të loguara dhe të paloguara, me qëllim evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti, si dhe parkimet e gabuara që bëhen pengesë për qarkullimin. Janë ushtruar kontrolle dhe janë ndëshkuar me masë administrative edhe drejtuesit e motomjeteve elektrike, të cilët bëhen burim aksidenti duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Gjatë këtyre dy javëve, janë arrestuar 4 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 9 të tjerë, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, si dhe janë vënë gjithsej 1958 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht:

⛔ 166 masa për mosvënien e rripit të sigurimit;

🛑 155 masa për mosvënien e kaskës mbrojtëse;

📵 39 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;

🚫 28 masa për drejtim mjeti në efektin e alkoolit;

⚠️ 13 masa për xhama të errësuar;

❌ 260 masa për parakalime të gabuara;

🚗 501 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar;

❌ 94masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve;

⚠ 702 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrollet nga Policia Rrugore do të vijojnë në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet bashkëkohore logjistike, me qëllim përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e Shkodrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe të mos drejtojnë mjetin, në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.