Ballina Politika Akuzat e Erion Braçes: Arben Ahmetaj shkatërroi bujqësinë shqiptare

Akuzat e Erion Braçes: Arben Ahmetaj shkatërroi bujqësinë shqiptare

23
0

Në emisionin “Dekalog” me Roland Qafokun në DritareTV, Erion Braçe bëri një deklaratë të fortë ndaj ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj, duke e konsideruar përgjegjësin kryesor për informalitetin në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Braçe tha se skema e TVSH-së e miratuar dhe mbështetur nga Ahmetaj ka krijuar pabarazi dhe ka dekurajuar grumbulluesit dhe përpunuesit që të blejnë produkte nga fermerët vendas.

Ai theksoi se kjo skemë e ka bërë më të leverdishëm importin sesa blerjen nga prodhimi vendas, duke nxitur kështu informalitetin dhe duke goditur prodhimin bujqësor shqiptar.

Për më tepër, Braçe u shpreh se që në vitin 1998, kur diskutoheshin ndryshimet në skemën e TVSH-së në Komisionin e Ekonomisë, përballë tyre ishte Arben Ahmetaj, si ministër Financash, i cili “nuk dëgjonte” dhe që sipas tij “ka qenë dhe mbetet përgjegjësi kryesor për rrënimin e arritjeve në bujqësi e blegtori që nga viti 2018 e këtej”.

Ai shtoi se ka gjashtë vjet që denoncon publikisht problemet që ka krijuar kjo politikë fiskale dhe se propozimet e tij nuk janë dëgjuar, as në grupin parlamentar, as në komisionet përkatëse.

Braçe e akuzon Ahmetajn për vendosjen dhe mbrojtjen e një skeme tatimore që ka dëmtuar rëndë sektorin bujqësor dhe ka favorizuar importin e produkteve, në dëm të fermerëve dhe përpunuesve vendas.

Pyetjes së gazeztarit Qafoku nëse do ta merrte përsipër të bëhet ministër Bujqësie nëse Rama do ta emëronte, Braçe iu përgjigj:

“Qeveria nuk është listë dëshirash për mua. Qeveria nuk bëhet me lista dëshirash, që do Erioni të bëhet ministër. Apo nëse je ministër dhe për të mbajtur postin e ministrit sulmon gjithë të tjerët që mendon se të rrezikojnë postin. Nuk merrem fare me këtë histori dhe as nuk dua fare të bëhem ministër në këtë lloj mënyre”, tha Braçe.

Ai kritikoi ashpër mungesën e kontrollit mbi ushqimet e importuara, fidanët, pesticidet dhe produktet e ndaluara që qarkullojnë në treg. Sipas tij, produktet e bujqësisë që konsumohen sot në Shqipëri nuk kontrollohen siç duhet dhe shpesh hyjnë në mënyrë të paligjshme.

Deputeti socialist vuri në dukje se pa një reformë të thellë fiskale, çdo përpjekje për të formalizuar sektorin do të dështojë. Ai u shpreh skeptik për suksesin e operacioneve të qeverisë, duke thënë: “Kjo nuk do të ketë sukses. Sa kohë që nuk ndërhyjmë me politika fiskale serioze, gjithçka është e kotë.”