Ballina Aktualitet Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për Aleksandër Lahon, ja për...

Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për Aleksandër Lahon, ja për çfarë akuzohet “Rrumi i Shijakut”

0
28

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për çështjen ndaj të pandehurit Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, duke e dënuar atë përfundimisht me 2 vite burg për korrupsion aktiv.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, Aleksandër Laho u deklarua fajtor për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim. Fillimisht, ai u dënua me 3 vite burgim, por në zbatim të gjykimit të shkurtuar iu ul 1/3 e dënimit, duke përfunduar me një dënim final prej 2 vitesh burg.

Njoftimi

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Engert Pëllumbi (anëtar), më datë 23.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 43 akti, datë 28.05.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri A.L., ndaj vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 12, datë 06.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me këtë ndryshim:

– Deklarimin fajtor të të pandehurit Aleksandër Laho. për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 244 dhe 50, shkronja gj) të K.Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

– Në bazë të nenit 406 paragrafi 1 i K.Pr.Penale të pandehurit Aleksandër Laho. i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet burgim.

– shpenzimet procedurale edhe në gjykimin në apel i ngarkohen të pandehurit.

U shpall në Tiranë, më 23.07.2025.