Ballina Ekonomia Bregdeti i ‘pakapshëm’/ Ministria e Financave publikon referencat, ja sa është çmimi...

Bregdeti i ‘pakapshëm’/ Ministria e Financave publikon referencat, ja sa është çmimi për metër katror në Durrës e Sazan

30
0

Hovi i çmimeve të kripura të pronave nuk do të ndalet, sidomos pas referencave të reja që Ministria e Financave ka bërë publike.

Durrësi do të ndahet në 13 zona, ku çmimi i referencës për metër katror ndryshon nga njëra te tjetra, ndryshe nga sa ndodh aktualisht, ku i gjithë qyteti bregdetar ka vetëm dy referenca: 472 euro dhe 675 euro. Me referencat e reja, një metër katror në zonën më të frekuentuar të bregdetit të Durrësit, që është ‘Zona 13’, e njohur si lagjja e plazhit, një metër katror pritet të kushtojë 2000 euro, me rritje 323% në raport me referencën aktuale prej 472 euro/metri.

Ndërsa në zonat afër qendrës së qytetit, çmimi referencë për metër katror do të jetë afro 1000-1400 euro, nga 472 euro/metri që është aktualisht. Kurse periferia e Durrësit do të ketë çmime afërsisht sa referencat e sotme.

Kurse në jug, çmimet më të kripura do të jenë në Sazan me 2000 euro metri katror, ndikuar prej resortit luksoz që do ndërtojnë dhëndri i Trump.

Rritje të fortë do të pësojnë edhe çmimet e pronave në Himarë, ku nga mesatarisht 580 euro që kushton një metër sot, do të arrijë në 1400 euro, apo në Sarandë, ku metri katror do të kushtojë deri 1000 euro, nga mesatarisht 560 euro që është.

Miratimi i referencave të reja do të sjellë drejtpërdrejt një rritje të çmimeve të pronave thuajse në të gjithë Shqipërinë, me përjashtim të Tiranës, ku çmimi tavan i pronave u miratua në vitin 2023.