Partia e Lirisë denoncoi sot publikisht kryebashkiakun e Kamzës, Rakip Suli, se po bën tenderime luksi për zyrat e reja të Bashkisë, duke shembur stadiumin ekzistues.
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja, doli sot në një deklaratë për mediat, ku theksoi se do shpenzohen 5,4 mln euro për ndërtimin e godinës së re të bashkisë së Kamzës, kur eksiztuesja është funksionale dhe e mjaftueshme. Ajo denoncoi edhe mungesën e rrugëve, parqeve, spitalit dhe tani stadiumit që do shembet për të ngritur godinën për institucionin.
Merja vuri në dukje edhe kaosin institucional, pasi një pjesë e zyrave të bashkisë sipas saj janë transferuar në Valias, duke shkaktuar kosto shtesë për shërbimet ndaj qytetarëve.
“Ndërkohë, godina aktuale e Bashkisë në qytet funksionon normalisht dhe ka hapësirë të mjaftueshme për stafin. Pyetja lind natyrshëm: A është ky investim një domosdoshmëri për komunitetin, apo një projekt luksi për të kënaqur egon e kryebashkiakut?”, u shpreh ajo mes të tjerash.
Deklarata e plotë e Arla Merjas së PL:
“Të nderuar qytetarë! Kamza nuk ka rrugë, nuk ka parqe, nuk ka spital, nuk ka as stadium, por do ketë zyra luksi për Rakip Sulin me 5.4 milionë euro!
Në një qytet ku mungojnë shërbimet bazë, ku rrugët janë të shkatërruara, ku nuk ekziston ende një godinë spitalore e mirfilltë dhe ku nuk ekzistojnë as ambiente minimale për rekreacion apo sport, kryebashkiaku Rakip Suli ka vendosur të ndërtojë një godinë të re për Bashkinë e Kamzës, me një kosto marramendëse prej 5.4 milionë eurosh.
Kjo godinë do të ngrihet në një vend simbolik për komunitetin, në fushën e stadiumit ekzistues, e vetmja hapësirë sportive funksionale për të rinjtë dhe komunitetin. Stadiumi do të shembet për t’i hapur rrugë zyrave të reja, ndërkohë që qyteti vuan mungesën totale të parqeve, ambienteve rekreative dhe hapësirave për të rinjtë.
Për më tepër, një pjesë e Bashkisë tashmë është zhvendosur në Valias, duke shkaktuar kosto shtesë dhe një barrë të panevojshme për qytetarët që zvarriten nga një cep në tjetrin për të marrë një shërbim. Miliona euro janë shpenzuar për ta sistemuar edhe këtë ndërtesë.
Ndërkohë, godina aktuale e Bashkisë në qytet funksionon normalisht dhe ka hapësirë të mjaftueshme për stafin. Pyetja lind natyrshëm: A është ky investim një domosdoshmëri për komunitetin, apo një projekt luksi për të kënaqur egon e kryebashkiakut?
Për të zbutur reagimet, Rakip Suli ka premtuar ndërtimin e një fushe të re sportive në Valias me vlerë 2.5 milionë euro , por kjo nuk e justifikon shkatërrimin e të vetmit ambient sportiv në zemër të Kamzës, i cili me pak investim mund të rikthehej në funksion.
E gjitha kjo ndodh ndërkohë që:
• Rrugët kryesore të qytetit janë të mbushura me gropa, duke dëmtuar makinat dhe vënë në rrezik qytetarët çdo ditë.
• Asnjë nga premtimet e bëra gjatë dy mandateve të Rakip Sulit nuk janë parë e nuk janë dëgjuar më përveçse në kohë fushate.
• Kamza, një bashki me rreth 100 mije banorë nuk ka ende spital për qytetarët
Ndërkohë Bashkia ka hapur tender për ndihmë ekonomike ndaj shtresave në nevojë me një vlerë prej vetëm 38 milionë lekësh (rreth 400 mijë euro), 13 herë më pak se sa për zyrat e reja.
Kjo është fytyra reale e qeverisjes së Rakip Sulit: fasadë, luks dhe përfitim për të paktët, ndërsa qytetari i zakonshëm mbetet pa shërbime, pa investime dhe pa zë.
Në vend që të ndërtojmë zyra për pushtetarët, le të ndërtojmë mundësi për qytetarët. Kamza ka nevojë për zhvillim të ndershëm, jo për projekte luksi që i shërbejnë pakicës në kurriz të shumicës”.