Ballina Rajoni Vuçiç festoi me këngë çetnike hapjen e një autostrade

Vuçiç festoi me këngë çetnike hapjen e një autostrade

15
0

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mori pjesë të martën në një festë në Pozhegë, me rastin e hapjes së segmentit të ri të autostradës Pakovraqe – Pozhegë, organizuar nga tabloidi proqeveritar Informer.

Festa me trumbetarë, këngë dhe shpërndarje parash shkaktoi shumë reagime – jo vetëm për shkak të cilësisë së dyshimtë të autostradës, por edhe për përmbajtjen e këngëve që u interpretuan gjatë këtij rasti.

Segmenti i autostradës u hap edhe pse, sipas informacioneve nga qarqe profesionale, inxhinierët dhe shërbimet përkatëse refuzuan të nënshkruanin lejen e përdorimit për shkak të mangësive serioze në siguri, veçanërisht në tunele.

Gjatë ceremonisë, në afërsi ishin të pranishme ekipe policie, zjarrfikësish dhe ndihme të shpejtë, gjë që tregon më tej për rrezikshmërinë e pjesës së sapohapur të rrugës. Ndërkohë, qytetarët e Çaçakut mbetën pa një mjek në spitalin lokal – pikërisht për shkak të angazhimit të shërbimeve mjekësore në këtë ngjarje.

Ndër të pranishmit në festë ishin edhe ish-kryeministri serb, Milosh Vuçeviq, lider i Partisë Progresive Serbe dhe këshilltar i Vuçiqit, si dhe drejtori i policisë Dragan Vasiljeviq.

Momenti kryesor i festës ishte përpjekja e Vuçiqit për të shpërblyer trumbetarët – me një kartëmonedhë prej 2000 dinarësh, të cilën ua zgjaste gjatë dhe me ngathtësi. E gjithë skena u bë e pakëndshme edhe për vetë Vuçiqin, gjë që shihej qartë në shprehjen e tij të fytyrës, dhe u regjistrua në një video që po qarkullon në rrjetet sociale.

Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe kënga që u dëgjua në atë rast – “Një varkë e vogël lundron në det”, e interpretuar me mbështetjen e publikut. Bëhet fjalë për një këngë të Bajës, Mali Knindzha, i njohur për këngët e tij nacionaliste, me vargje që lavdërojnë hapur lëvizjen çetnike dhe kriminelin e luftës nga Lufta e Dytë Botërore, Drazha Mihailoviq.