Në hyrje të parkut të Liqenit Artificial, në rrugën Skerdilajd Llagami, do të ndërtohet një kompleks i madh me 3 kulla me funksione të përziera, banim, hoteleri dhe shërbimesh. Projekti do të shtrihet në një sipërfaqe prej 9 mijë e 600 metrash katrorë ose gati 1 hektarë dhe është pagëzuar me emrin Anima.
Zona ku do te ndertohet kompleksi Anima
Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar me procedurë të përshpejtuar lejen e ndërtimit të kompleksit, i cili do të realizohet nga shoqëritë Animacon dhe EB Construction. Shoqëria e parë është krijuar në qershor të vitit 2022. Ajo zotërohet nga pronarja e Top Channel, Lorena Hoxha. Ndërsa kompania tjetër, EB Construction, zotërohet nga Ilir Bregasi, djali i biznesmenit Luan Bregasi.
Në prill të këtij viti, rreth 1 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, projekti Anima mori statusin e Investimit Strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike që drejton kryeministri Edi Rama.
Pas marrjes së statusit, KKTU ka miratuar me urgjencë lejen e ndërtimit të projektit, i cili parashikon ndërtimin e disa kullave në zonën e Parkut të Liqenit.
Projekti
Sipas dokumentit për statustin e Investimit Strategjik, projekti Anima është hartuar nga studio ndërkombëtare dhe parashikon ndërtimin e një kompleksi me funksion të përzier si hotel, rezidencial, godina banimi dhe shërbimesh.
“Vlera e investimit të projektit të investimit “ANIMA” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë rreth 55.6 milion Euro,” thuhet në dokumentin e dhënies së statusit.
Sipas Komitetit të Investimeve Strategjike, toka mbi të cilën ndërtohet kompleksi është në pronësi private dhe investitorët kanë kërkuar nga shteti vetëm asistimin me procedurë të përshpejtuar./ kapital