Milan i ri, histori e vjetër. “Djalli” bie në testin e parë në epokën Allegri2. Në Singapor, ndaj Arsenal, ekipi kuqezi nisi fazën përgatitore me një humbje minimale 1-0. Sigurisht, rezultati është gjëja e fundit që ka rëndësi, por Milan shfaqi pak ose aspak sinjale pozitive. Allegri e nisi këtë test me skemën 3-5-2, por i kushtëzuar nga mungesa të shumta, ku lojtarë si Modric e Giminez janë ende me pushime, ndërsa Maignan, Jimenez e Fofana në stol. Në pritje të Estupinan, me anësorin ekuadorian që zbarkon në Milano këtë të enjte për të zhvilluar testet mjekësore, Allegri hodhi në fushë nga minuta e parë blerjen e kësaj vere, Samuele Ricci, ndërsa sulmin ia besoi dyshes Leao-Pulisic.
Milan e kishte të vështirë të ndërtonte aksione të rrjedhshme sulmuese, krijuan vetëm 3 raste dhe goditën vetëm një herë kuadratin. Arsenal kishte jo vetëm kontrollin e topit, por ekipi i Artetas krijoi 23 raste, goditi 9 herë kuadratin. Pas një pjesë të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, në minutën e 53-të, Saka me një goditje brenda në zonë gjeti golin, detaj që bëri diferencën deri në fund të këtij takimi.
Pas kohës së rregullt, për të argëtuar tifozët e pranishëm në stadium, u goditën edhe penalltitë, aty ku Milan ishte më i saktë duke fituar 6-5.