Ballina Kuriozitete Asteroidi gjigant sa Kulla e Pizës do t’i afrohet Tokës brenda pak...

Asteroidi gjigant sa Kulla e Pizës do t’i afrohet Tokës brenda pak ditësh

20
0

Një asteroid i quajtur 2025 OW, me madhësi sa Kulla e Pizës (rreth 64 metra), pritet të kalojë pranë Tokës me 28 korrik, njofton NASA.

Asteroidi, që udhëton me shpejtësi rreth 75,000 km/h, do të kalojë në një distancë prej 633,000 kilometrash nga planeti ynë, pak përtej orbitës së Hënës (që ndodhet 384,000 km larg Tokës). Megjithëse nuk përbën kërcënim, afërsia e tij e ka futur në listën e objekteve “afër-Tokës”.

NASA e konsideron 2025 OW si një asteroid të vogël deri në mesatar, dhe në rast të një hyrjeje në atmosferë, ai ndoshta do të shpërthente në ajër nga fërkimi dhe presioni, duke shkaktuar dëme të lehta strukturore ose duke thyer xhama, nëse do të binte mbi një zonë të populluar.

Ky është një nga pesë asteroidët që do t’i afrohen Tokës gjatë javës së fundit të korrikut. Dy prej tyre pritet të kalojnë mbi 1.6 milion km larg me 25 korrik, ndërsa një tjetër i vogël do të kalojë me 27 korrik.

Në krahasim, asteroidi 2024 MK (rreth 150 metra i gjatë) kaloi më pranë Tokës në korrik të kaluar, në një distancë prej vetëm 296,000 kilometrash. Ndërkohë, asteroidi 99942 Apofis, me madhësi 335 metra, do të kalojë rrezikshëm pranë Tokës me 13 prill 2029, vetëm 32,000 kilometra larg, më afër se disa satelitë.

NASA përdor teleskopë dhe radarë për të matur me saktësi orbitat dhe madhësinë e asteroidëve. Qendra për Studimet e Objeteve Afër-Tokës (CNEOS) është përgjegjëse për parashikimet e sakta të këtyre trajektoreve. Por me gjithë përparimet teknologjike, rreziqet nuk janë eliminuar plotësisht. Një studim i fundit paralajmëron për “anën e verbër” të Tokës, hapësira pas Diellit ku asteroidët mund të fshihen nga vrojtimi. Disa prej tyre, si 2020 SB dhe 2020 CL1, ndjekin orbitën e Venusit dhe janë të vështirë për t’u zbuluar, por potencialisht shkatërrues nëse përplasen me Tokën.

Këta asteroidë arrijnë madhësi deri në 400 metra dhe mund të shkatërrojnë qytete të tëra, të shkaktojnë cunamë dhe zjarre masive në rast goditjeje. / Syri