Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, Sali Berisha sulmoi Kolegjin Zgjedhor pasi i rrëzoi opozitës edhe 3 ankimet e fundit për rezultatin e zgjedhjeve në Durrës, Elbasan e Fier. Nga selia blu, në një konferencë me gazetarët, kreu i PD tha se vendimi i Kolegjit tregon nënshtrimin e gjykatësve, ndërsa tha se po mbrojnë farsën elektorale të Ramës.
“PD do të ndërmarrë të gjitha betejat që shqiptarët të votojnë të lirë. Vendimi i kolegjit është dëshmi e një nënshtrimi të plotë dhe total politik të atyre gjykatësve që vetëm ligjin nuk njohin dhe nuk respektojnë. Mbrojnë qeverinë, farsën më të shëmtuar dhe bëhen pjesë e saj”, tha Berisha.
Për disfatën e thellë të 11 majit, ish-kryeministrit sot shfaqi një skenar të ri, duke hedhur akuza ndaj Edi Ramës se ka përdorur lejet e ndërtimit si mjet për të blerë votat. Berisha tha se gjatë periudhës zgjedhore janë dhënë 450 leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin, me përfitues kryesorë bandat e lidhura me narkotrafikun, të cilat, sipas tij, po kontrollojnë territorin dhe ekonominë e vendit përmes kartelit të ashtuquajtur “Troplinët”.
“Edi Rama bleu vota me 450 leje për bandat e narkotrafikut, në periudhën këto të ndaluar me ligj që mund të jepeshin. Nga prilli 2024 deri në maj 2025 janë dhënë mbi 1 mijë leje ndërtimi. 450 prej tyre gjatë periudhës zgjedhore. Këtu nuk përfshihen mijëra e mijëra leje të dhëna për shtesa, rikonstruksione, etj, në mbarë Shqipërinë nga bashkitë e vendit”, tha Berisha.
Zgjedh të mos komentojë përplasjen mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit për mandatin.
“Asnjë koment për një debat të brendshëm mes dy eksponentëve të një koalicioni, mendoj se nuk më takon të komentoj debatin e tyre”, tha Berisha.