Dita e djeshme, e mërkurë 23 korrik, është mbyllur me një bilanc të rëndë nga aksidentet rrugore: 6 viktima dhe 9 të plagosur në të paktën 6 aksidente të ndodhura në zona të ndryshme të Shqipërisë.
Në aksin Lezhë–Shkodër, një automjet u përplas me një trailer me targa serbe dhe përfundoi në kanal. Si pasojë, dy persona humbën jetën, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur dhe po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë. Banorët e zonës dhe shërbimet e policisë ndërhynë për të nxjerrë të mbijetuarit nga kanali.
Në qarkun e Dibrës, u regjistruan tre viktima në dy aksidente të ndara. Në zonën e Qafë-Buallit, Bulqizë, një automjet tip Nissan doli nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e dy personave: Burhan Gjoka dhe Destan Gjeta. Një tjetër pasagjer mbeti i plagosur.
Në një tjetër ngjarje tragjike në fshatin Hotesh të Dibrës, një grua, Arta Çera, humbi jetën pasi u përplas aksidentalisht nga bashkëshorti i saj, Hajri Çera, i cili po manovronte makinën në oborrin e banesës. Pavarësisht dërgimit në Spitalin e Traumës, gruaja nuk arriti t’i mbijetojë plagëve. Në Fushë-Krujë, një vajzë 4-vjeçare u aksidentua për vdekje nga babai i saj në ambientet e biznesit familjar. Vajza ndërroi jetë në spital, ndërsa ngjarja ka tronditur komunitetin lokal.
Në Dimal, dy të mitur, përkatësisht 8 dhe 12 vjeç, mbetën të plagosur pas përplasjes së dy mjeteve. Ndërsa në Korçë, një automjet doli nga rruga dhe u përmbys, duke përplasur një këmbësore që ndodhej në afërsi. Në aksident u plagosën edhe çifti i bashkëshortëve që po udhëtonin me automjetin. Policia Rrugore ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e secilit aksident.