Ballina Aktualitet Më të shtrenjtat në 34 vite pluralizëm, ja sa kushtuan zgjedhjet e...

Më të shtrenjtat në 34 vite pluralizëm, ja sa kushtuan zgjedhjet e 11 majit

24
0

Vota e 11 majit për të zgjedhur kuvendin e ri është më e kushtueshmja në historinë e proceseve zgjedhore në vendin tonë. Mbi 3 miliardë e 100 milionë lekë është fatura që pagoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për votimin si brenda dhe jashtë vendit.

Ajo që i bëri parlamentaret e majit më të shtrenjtat ishte vota e diasporës. E zbatuar për herë të parë ajo është një nga arsyet kryesore pse zgjedhjet e 2025-ës vendosën një rekord për paratë e shpenzuara.

I ndarë në dy kategori pjesa më e madhe e buxhetit u shpenzua për shërbimet.

Pjesa “e luanit” shkoi për shërbimin postar të votimit nga jashtë vendit me mbi 912 milionë lekë.

Ndërsa në kategorinë e mallrave, shuma më e madhe e lekëve shkoi për gjithë materialet zgjedhore të domosdoshme në një ditë votimi në vlerën e mbi 220 milionëve.

Për informimin e qytetarëve përmes reklamave në median tradicionale edhe digjitale KQZ shpenzoi përafërsisht 22 milionë lekë.

Në faturën e përllogaritur të shpenzimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë përfshirë edhe zgjedhjet e pjesshme të pritshme vendore. Por kjo faturë pritët të shtohet për aq kohë ende nuk ka një vendimmarrje se në cilat bashki do të ketë zgjedhje. Në varësi të numrit të bashkive KQZ do të përcaktojë edhe faturën financiare.

Fatura financiare e zgjedhjeve do të ishte pak më e ulët nëse vota e 11 majit nuk do të numërohej nga e para për qarkun e Tiranës, Fierit dhe pjesërisht të Durrësit.

Pa procesin e rinumërimit KQZ kurseu nga buxheti i parashikuar prej rreth 3 miliardë e 200 milionë lekë, 390 milionë lekë.

Ato do të shfrytëzohen për të paguar faturën e rinumërimit dhe pjesa e mbetur për të organizuar vendoret e pjesshme. Me zgjedhjet në pritje të paktën në tre bashki të Matit, Beratit dhe Tepelenës, gjasa është që shpenzimet në total për zgjedhje në vitin 2025 të kapërcejnë vlerën e mbi 3 miliardë e 137 milionë lekëve.